Tre trupa amerikane janë vrarë dhe 25 janë plagosur në një sulm me dron në një bazë amerikane në Jordani, afër kufirit me Sirinë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden thotë se ndërsa faktet janë ende duke u mbledhur, sulmi rezulton se është kryer nga grupe ushtarake të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak. Është hera e parë që ushtarë amerikanë vriten në rajon pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
“Sot, zemra e Amerikës është e rënduar, sakrifica përfundimtare e ushtarëve nuk do të harrohet kurrë nga kombi ynë. Dhe mos kini dyshim, ne do t’i kërkojmë llogari të gjithë përgjegjësve në një kohë dhe në një mënyrën që do e zgjedhim ne,”- tha Biden.
Ka pasur sulme në bazat amerikane në rajon, por deri më tani nuk ka pasur viktima nga ushtria amerikane.
Një numër i personelit ushtarak amerikan u plagos në një sulm me raketa në bazën ajrore Al Asad në Irakun perëndimor javën e kaluar. Ushtria amerikane fajësoi milicinë e mbështetur nga Irani për sulmin. Më vonë, sulmi u mor përsipër nga një grup që vetëquhet Rezistenca Islamike në Irak.
Ky grup ka pretenduar gjithashtu se qëndron pas sulmeve të tjera kundër forcave amerikane në javët e fundit. Ushtria amerikane ka kryer më parë sulme ndaj disa grupeve militante të mbështetura nga Irani në Irak pasi personeli amerikan u plagos në sulmet me dronë në bazat ajrore amerikane në vend.