Tch publikon letrat e kompanisë lobuese për Marco Rubion, për të pajisur Berishën me vizë hyrëse në SHBA!

Ditën e enjte, gjatë një konference për shtyp, Sali Berisha mohoi të ketë kërkuar marrjen e një vize amerikane për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.

Madje, ai theksoi se që kur kishte lënë detyrën në vitin 2013, kurrë nuk kishte planifikuar një udhëtim të tillë.

“Unë të kërkoj vizë? Jo, nuk kam kërkuar vizë që kur kam lënë detyrën e Kryeministrit, asnjëherë”, tha ai.

Por kjo duket se nuk është e vërtetë. Sipas dokumenteve të depozituara në FARA, kompania e lobimit Continental, e cila ka lidhur kontratën 6 milionë dollarëshe me Partine Demokratike, ka bërë dy kërkesa në emër të Sali Berishes.

E para në datën 28 Mars, e firmosur nga përfaqësues të disa shoqatave shqiptaro-amerikane, mes të cilëve edhe Nuredin Seci që është garantuesi i 6 milionë dollarëve për kontratën e lobimit, ku i kërkohet sekretarit të shtetit Marco Rubio të pajisë me një vizë njëkalimshme afatshkurtër Sali Berishën.

Qëllimi i kësaj vize: takimi me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara gjatë fushatës elektorale.

Lajme të tjera |  TRONDITET Gramshi/ I zuri poshtë masivi i dheut, humbin jetën dy të rinj! (EMRAT)

Kjo kërkesë, siç thuhet në dokumentin që Top Channel disponon, është shpërndarë nga Continental Strategy, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Por, kur pas më shumë se një muaji që kjo kërkesë për të pajisur Sali Berishën me vize është injoruar nga Departamenti Amerikan i Shteti, Continental PLLC, studio ligjore e lidhur me Continental Strategy, që sipas kontratës 6 milionë dollarëshe ka nënshkruar një marrëveshje tjetër financiare me Partinë Demokratike, ka dërguar një letër të dytë, vetëm pak ditë më parë, në datën 1 Maj.

Edhe kjo letër është depozituar pranë Departamentit te Shtetit nga Continental Strategy, në emër të Partisë Demokratike. Në të bëhet sërish thirrje që sekretari i shtetit Marco Rubio të heqë sanksionet ndaj Sali Berishës.

Letra mbyllet me lutjen e lobuesve të cilët theksojnë se shpresa e vetme për klientin e tyre mbetet një vendim i Marco Rubios.

Lajme të tjera |  Një parkim sa një shtëpi, biznesi “i artë” në Tiranë

Njv vendim qe deri tani nuk ka ardhur.

Sanksionimi i Sali Berishës vazhdon të jetë i publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit (https://2021-2025.state.gov/public-designation-of-albanian-sali-berisha-due-to-involvement-in-significant-corruption/) dhe deri më sot nuk ka asnjë komunikim zyrtar nga institucionet amerikane për ndonjë hap pas nga administrata e Presidentit Trump, e cila në fakt në rastin e heqjes së sanksioneve për shefin e kabinetit të Kryeministrit Hungarez u shpreh publikisht përmes një deklarate.

Po ashtu, ndryshe nga sa pretendon Sali Berisha, ai ka kërkuar jo një, por plot dy herë të pajiset me vizë e të udhëtoje drejt Shteteve te Bashkuara, por as kjo kërkesë, deri më sot nuk është marrë parasysh.

Sipas dokumenteve zyrtare Sali Berisha vazhdon të jetë nongrata dhe pavarësisht se ka bërë dy herë lutje për të udhëtuar drejt Amerikës, deri tani lutjet e tij janë refuzuar./Tch

Dokumenta bashkëngjitur

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us