Pas marrëveshjes mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe homologes së tij, Georgia Meloni, një tjetër dakordësi pritet që të arrihet mes Tiranës dhe Romës. Bëhet fjalë për një marrëveshje, ku të burgosurit shqiptarë në Itali të mund ta vuajnë dënimin e tyre në vendin e origjinës, në këmbim të formimit profesional. Lajmi është bërë me dije nga media italiane Sky.it, që shkruan se kjo është hipoteza, për të cilën po punohet mes dy vendeve të Mesdheut.
Shkrimi i plotë i medias italiane:
Një marrëveshje me Shqipërinë, që të burgosurit shqiptarë në Itali të mund të vuajnë dënimin në vendin e tyre, në këmbim të formimit profesional. Kjo është hipoteza, mbi të cilën po punohet, sipas asaj që raporton kreu i Departamentit të Administrimit të Burgjeve, Giovanni Russo në një seancë dëgjimore në Komisionin e Drejtësisë.
“Me një kosto prej 34 euro në ditë për çdo të burgosur shqiptar në burgjet e saj, Mbretëria e Bashkuar ka lidhur një marrëveshje me Shqipërinë, që të burgosurit të vuajnë dënimin në vendin e tyre. Na ra në mendje të përsërisim të njëjtën marrëveshje me disa modifikime: jo për të dërguar para në Shqipëri, por për të ofruar shërbime të tipit penitenciar”, tha Russo.
“Drejt rrugëve ad hoc të profesionalizimit”
“Kjo ide, që fillimisht mund të duket si një shkëmbim mund të hapë idenë e shtigjeve ad hoc të profesionalizimit për të burgosurit, të cilët kanë interes të qëndrojnë në vendin e tyre sepse kanë aftësi të reja profesionale”, shtoi Russo. Ai bëri thirrje gjithashtu për vëmendje ndaj të burgosurve me dënime të shkurtra, nga gjashtë deri në 18 muaj, që “të shohin mundësinë për ndërtimin e një izolimi, që është midis paraburgimit dhe arritjes të lirisë, përgjatë linjave të komuniteteve për të varurit nga droga: komunitetet e pritjes arsimore të vërtetuara nga qarqet ku mbi bazën e një liste kombëtare magjistrati mbikëqyrës mund të tërheqë dhe të dërgojë në fund të dënimit të burgosurin, që ka kushtet subjektive të mos recidivizmit dhe të mos rrezikshmërisë”.
Nëse arrihet kjo marrëveshje me Italinë, pakti do t’i ngjajë atij të arritur me Britaninë. Kujtojmë se edhe Britania e Madhe do të transferojë në vendin tonë të burgosurit shqiptarë drejt Shqipërisë, pas një pakti me vendin tonë.
200 të burgosur shqiptarë pritet të sillen në Shqipëri, pas një marrëveshjeje të nënshkruar mes Tiranës dhe Londrës. Në dhjetor 2022, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai britanik Rishi Sunak nënshkruan një pakt të përbashkët. Në marrëveshje u saktësua se pala britanike paguan kostot e strehimit të të burgosurve përgjatë gjithë kohës së dënimit të tyre në vendin tonë. Po ashtu, në marrëveshje saktësohej se Shqipëria do të rrisë investimet për të përmirësuar akoma më shumë kushtet në sistemin e burgjeve. Në marrëveshje u tha se 200 të burgosur shqiptarë do të sillen në vendin tonë.