Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në prezantimin e kandidatëve për deputetë të PD-së në Pogradec, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha reagoi ndaj deklaratave të mazhorancës dhe Partisë Socialiste, të cilat kanë vënë theksin te mosha e tij. Ai theksoi se një politikan duhet të gjykohet për veprat dhe aftësitë e tij, jo për vitet që ka mbi supe.
“Rama ka porositur lakejtë e tij të përqendrojnë debatin tek mosha ime. Ronald Reagan ka thënë dikur se nuk donte ta përdorte moshën si avantazh ndaj kundërshtarit. Meqë përmendin moshën, i them: hajde këtu të përballemi në të gjitha fushat — të shohim çfarë dijesh ke dhe sa të mban mendja, kur je i detyruar të shkruash gjërat në dorë që të mos i harrosh,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se çdo lider politik duhet të vlerësohet mbi bazën e rezultateve dhe angazhimit ndaj qytetarëve, duke akuzuar kryeministrin Rama se po shmang diskutimin për problemet reale që preokupojnë vendin.