Mediat serbe po ndjekin deklaratat që bëjnë lojtarët e kombëtares në Shqipëri dhe jo vetëm. Ndeshja ka një rëndësi të madhe për dy vendet, por për serbët duket se konsiderohet “ndeshja e vitit”.
“Kurir” ka shkruar për deklaratën që ka bërë ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Mërgim Mavraj. Ky i fundit ishte pjesëmarrës në ndeshjen që u ndërpre në vitin 2014, ndaj edhe i shkroi një mesazh motivues lojtarëve të kombëtares që do të përballen sot me Serbinë.
“Djema, lufta mbaroi. Kosova është e jona, përgjithmonë. Tani luani futboll!,“-shkroi Mavraj, por mediat serbe e kanë konsideruar si një provokim të tmerrshëm.
“Provokimi i turpshëm ndodhi ditën e ndeshjes dhe nuk ka dyshim se Mavraj donte vetëm të rriste tensionet. Varet nga lojtarët tanë të qëndrojnë të qetë, të luajnë sa më mirë që munden dhe t’i sjellin tre pikë Serbisë,“-shkruan Kurir.
Por jo vetëm kaq! Nga vëzhgimi që kanë bërë në kryeqytet, gazetarët serbë janë shqetësuar edhe nga shitja e flamujve me simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe shitjen e këtyre simboleve, serbët e kanë konsideruar provokim.
“Tifozët e ekipit vendas po fillojnë ngadalë të mblidhen përpara stadiumit Arena Kombëtare, edhe pse kanë mbetur më pak se tetë orë deri në fillimin e ndeshjes. Ajo që vihet re është se provokimi nuk do të mungojë, dhe tifozët shqiptarë përpara stadiumit kanë parë flamuj të UÇK-së,“-shkruan “Alo.rs”.
Mesa duket, për serbët, çdo gjë që bëjnë shqiptarët sot është “provokacija”.