Thatësira ekstreme! Katalonja po përballet me nxehtësi të madhe, masat e autoriteteve

Shefi i qeverisë rajonale të Katalonjës Pere Aragones deklaroi kufizime të reja, pasi nivelet e ujit në rezervuarët në rajonin e Mesdheut ranë nën 16 për qind të kapacitetit të plotë. Ky është standardi i vendosur nga autoritetet, për zbatimin e një raundi të ri masash për kursimin e ujit, që do të prekë rreth gjashtë milionë njerëz. “Katalonja po vuan thatësirën më të keqe”, u tha Aragones-gazetarëve.

Ne kurrë nuk jemi përballur me një thatësirë kaq të gjatë dhe intensive”, deklaroi ai. Nivelet e ujërave të shiut në disa rezervuarë në Katalonjë janë aq të ulëta, sa janë rishfaqur urat e vjetra dhe një kambanore kishe. Masat e emergjencës janë krijuar për të ulur sasinë ditore të ujit që lejohet të përdorin familjet dhe komunat: nga 210 në 200 litra (55 në 52 gallon) për person. Nëse thatësira përkeqësohet, kufiri mund të ulet në 180 litra, pastaj në 160 litra. Kufizimet e përdorimit të ujit do të zbatohen për kryeqytetin rajonal Barcelona dhe 201 këshillat lokale përreth, nga e premtja, duke prekur rreth gjashtë milionë njerëz.

Lajme të tjera |  “Do marrim e pakta 78 mandate”, Rama: Nuk do fitojnë dot kurrë po nuk e kuptuan se përse i mundim

Gjendja është katastrofike

Masat përfshijnë ndalimin e ujit të ëmbël në pishina. Makinat tani mund të lahen vetëm me ujë të ricikluar dhe kopshtet publike të vaditen me ujëra nëntokësore. Kufizime më të forta, të tilla si mbyllja e dusheve në palestra dhe ndalimi total i ujitjes në parqet publike, mund të hyjnë në fuqi, nëse thatësira vazhdon. Fermat dhe industritë do të përballen gjithashtu me shkurtime më të mëdha. Masat emergjente synojnë të ulin sasinë e ujit të përdorur për ujitjen e të mbjellave me 80 për qind, duke dyfishuar reduktimin prej 40 për qind, të shënuar nëntorin e kaluar.

Industritë duhet të ulin përdorimin e ujit me 25 për qind, ndërsa më parë ishte 15 për qind. “Ne do ta kapërcejmë thatësirën përmes bashkëpunimit, përpjekjeve të përbashkëta, planifikimit dhe investimeve të mirëdrejtuara”, tha Aragones. Reshjet kanë qenë më të ulëta se mesatarja në Katalonjë për tre vitet e fundit. Thatësira ka zgjatur më shumë se dy herë më tepër se periudha e mëparshme e thatë në 2008, tha qeveria rajonale. “Nëse vazhdon edhe një vit, situata do të jetë katastrofike”, tha për AFP, kreu i departamentit të inxhinierisë civile dhe mjedisore në Universitetin Politeknik të Katalonjës, Xavier Sanchez Vila. Udhëheqësit e qeverisë katalanase do të takohen të hënën me ministren e tranzicionit të ekologjisë të Spanjës, Teresa Ribera për të diskutuar se çfarë ndihme mund të marrin nga qeveria në Madrid.

Lajme të tjera |  Pse vendimi “non grata” nuk është hequr në faqen e DASH? Si përgjigjet Sali Berisha

Thatësira e Andaluzisë

Ashtu si Katalonja, në verilindje të Spanjës, rajoni jugor i Andaluzisë është një tjetër vend, që po lufton me thatësirën e madhe. Autoritetet rajonale atje kanë paralajmëruar se kufizimet e përdorimit të ujit do të nevojiten në Sevilje dhe Malaga këtë verë, nëse nuk ka reshje shiu. Andaluzia dhe Katalonja janë dy rajonet më të populluara të Spanjës. Të dy rajonet po përgatiten të importojnë ujë të freskët me anije nëse është e nevojshme, një opsion i shtrenjtë që zyrtarët pranojnë se nuk do të kompensonte mjaftueshëm mungesën e shiut. “Ne kemi nevojë për 30 ditë shi”, tha së fundmi kreu i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juan Manuel Moreno.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us