The Guardian i kushton artikull Leonard Farrukut: Tragjedia e muzikantit shqiptar, ëndrra iu pre në anije

Gjashtë muaj para se të gjendej i vdekur në anijen Bibby Stockholm, Leonard Farruku kishte shpresa për të ndërtuar një jetë të re në Britani.

“Kam qenë në Mbretërinë e Bashkuar që nga gushti 2022. Shpresoj që të mund t’i marr letrat e mia. Erdha me një gomone,”- tha i riu shqiptar në një mesazh në Instagram për një shok të vjetër të shkollës fillore në Tiranë, kryeqyteti i vendit të tij.

Nëna e tij kishte vdekur kur ai ishte 17 vjeç dhe babai i tij ndërroi jetë disa vjet më vonë.

“Humbja e nënës dhe babait tim më traumatizuan shumë papritur. Nuk e dija se ku isha dhe çfarë po ndodhte. Unë jam duke kërkuar azil tani. Unë jetoj në një hotel. Shpresoj që Zoti të na mbrojë,”-ka shkruar ai në mesazh. Farruku, 27 vjeç, mendohet se ka vrarë veten në një dhomë dushi në anijen, e cila strehon qindra azilkërkues në brigjet jugore të Britanisë, më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Ai dukej se ishte në gjendje ankthi pak para se të gjendej i vdekur.

Familja dhe miqtë e tij kanë ende pyetje në lidhje me atë që e shtyu Farrukun, dikur një muzikant ambicioz dhe të talentuar me një të ardhme në dukje premtuese, t’i jepte fund jetës së tij.

“Do të na mungojë shumë Leonardi. Ne do të jemi përgjithmonë zemërthyer për mënyrën sesi ai i dha fund jetës së tij. Ai ishte një person i mrekullueshëm. Ne kurrë nuk do të kemi paqe deri në momentin që të gjejmë të vërtetën për rrethanat brenda asaj maune që kontribuoi që vëllai ynë të kryente vetëvrasje,”- tha motra e tij Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lombardi të Italisë.

The Guardian ka folur me të afërm, miq, fqinjë, kolegë dhe mësues në Shqipëri, në një përpjekje për të kuptuar më shumë rreth prejardhjes së Farrukut dhe përvojave që çuan në vdekjen e tij. Ata e përshkruan atë si një njeri të sjellshëm dhe punëtor që ëndërronte të bëhej muzikant – por u trondit nga vdekja e papritur e nënës së tij. Ajo pësoi një atak në zemër në gjumë në maj 2013, kur Farruku ishte një nxënës adoleshent në Liceu Artistik “Jordan Misja”, një shkollë arti e respektuar në Tiranë. Babai i tij vdiq gjithashtu nga një atak në zemër 5 vjet më vonë. Që atëherë Farruku, i cili njihej si Nardi, filloi të ëndërronte sesi të siguronte punë dhe të ndërtonte një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Udhëtimin e rrezikshëm përtej Kanalit ai e bëri në vitin 2022, vit kur 12,301 shqiptarë mbërritën me varka të vogla dhe kërkuan azil.

Ai tani është bërë fytyra e shqetësimeve rreth anijes së ankoruar në Portland, Dorset, në korrik.

Lajme të tjera |  Kur Artan Lame fliste për vdekjen, pasi i shpëtoi një herë: Askush s'e kupton derisa t’ju vijë ajo sekonda që do t’ua marrë të gjitha

Dhimbja e familjes së tij është shtuar nga raportet se Farruku nuk ishte në dijeni se i ishte dhënë leja për të punuar ditët para vdekjes së tij dhe se trupi i tij mbeti i pazbuluar deri në 12 orë. Duke folur nga një kafene në Allias, një lagje e varfër në Tiranë ku Farruku jetoi për më shumë se një dekadë, Agron Farruku, xhaxhai i tij, tregoi dhimbjen e familjes.

“Leonard donte të ishte legal për të punuar atje. Ai kishte ambicie. Ai donte të punonte, të bënte para, të blinte shtëpi, të krijonte familje, të kishte një jetë normale. Po të kishte dokumentet e punës, do të kishte mundur të gjente një punë,”-tha ai.

Këngëtari 57-vjeçar tha se Farruku nuk kishte probleme të shëndetit mendor, duke shtuar: Vdekja e tij na ka shkatërruar. Por pjesa më e keqe është se ne nuk e dimë pse dhe çfarë ndodhi. Ne nuk e dimë të vërtetën. Si u harrua deri në 12 orë në një objekt të rregulluar nga shteti? Ai i tha motrës se kushtet ishin të mira, por se e trajtonin keq. Ai donte më shumë liri, donte të dilte pak, por zyrtarët nuk e lejuan. Ai u ankua se ata trajtoheshin si kriminelë.

I lindur më 29 janar 1996, Farruku u rrit në Vorë, një qytezë në periferi të Tiranës, nga e ëma, Shkëndije, shtëpiake dhe babai i tij, Petriti, një klarinestist i njohur në zonë. Dy motrat e tij më të mëdha, Marsida dhe Jola, tani jetojnë në Itali.

Kushëriri i tij, Andi, i cili nuk donte të jepte mbiemrin, kujtoi një fëmijëri të lumtur në Vorë, ku dyshja luanin futboll dhe udhëtonin së bashku me autobus për në Tiranë tre herë në javë për mësime private fizarmonike.

“Ishte një kohë e bukur. Ishte babai i tij që donte të bëhej muzikant dhe Nardi ishte shumë i talentuar; ai kishte vesh për muzikë. Muzika ishte jeta e tij, studionte tre-katër orë në ditë. Ishim 13 dhe 14 vjeç kur filluam të luanim në dasma me baballarët tanë,”– tha fotografi 29-vjeçar.

Por familja mendohet se është përballur me vështirësi financiare pasi u transferua në vitin 2009 në Tiranë, ku Farruku ndoqi shkollën fillore “Bajram Curri” për dy vjet. Ata jetonin në cep të shkollës në një banesë me një dhomë gjumi.

Lindita Fejzo, mësuesja e letërsisë dhe gjuhës së Farrukut, tha se Petriti kishte një interes të madh për arsimimin e djalit të tij dhe merrte pjesë në mbrëmjet e prindërve.

“Leonardi ishte një student i sjellshëm dhe i sinqertë. Ai ishte i apasionuar pas muzikës dhe sportit. Ai ishte mesatar në lëndët e tjera, por ishte shumë ambicioz dhe pak ëndërrimtar,”-tha ajo. Prej aty, Farruku bëri audicionin për Jordan Misja, shkollën e arteve, të cilën e ndoqi nga viti 2011 deri në vitin 2015. Mësuesit e cilësuan atë si një nxënës të sjellshëm dhe të shkëlqyer në fizarmonikë.

Lajme të tjera |  Një fitore personale e Berishës dhe një humbje madhështore e PD-së

Mësuesi i tij, Dritan Baftjari, tha: Ai nuk na ka sjellë kurrë probleme. Ai ishte i qetë.

Shefja e departamentit, Valbona Kotepano shtoi: Leonardi ishte një student shumë i talentuar dhe i mirë. Por në vitin e tij të fundit ai u ngadalësua dhe u shfaq i hutuar, kjo ndodhi pasi nëna e tij vdiq. Notat e tij u përkeqësuan dhe ai filloi të merrte 6-a. Ai nuk studionte, nuk ishte më i fokusuar. Ai mungonte shpesh.

Shokët e tij të shkollës, Ervin Telo dhe Ariel Koka, të dy 28 vjeç, kujtuan betejat e Farrukut.

“Ai nuk kishte asnjë motiv. Pasi i vdiq e ëma, ai ishte shumë i trishtuar dhe thoshte: ‘Nuk kam më asgjë’. Ishte sikur humbi qëllimin e tij në jetë,”- tha Koka, i cili punon tani në Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.

Telo, një kitarist, tha: Më tha se po planifikonte të shkonte jashtë vendit për shkak të ekonomisë dhe vështirësive që po haste. Ai tha: ‘Nuk e di, por ndoshta Angli ose diku, sepse flas pak anglisht. E pyeta se çfarë po bën me jetën tënde dhe ai më tha: “Po bëj një mut me jetën time”.

Bardhyl Rapo, 70 vjeç, i cili jetonte në të njëjtin bllok me familjen, shtoi: Nardi ishte një djalë i mrekullueshëm. Kur i vdiq e ëma, Petriti [i ati] filloi të pinte pak, sepse ishte shumë i trishtuar dhe po zihej me të birin.

Aliaj tha se Farruku i shihte më rrallë miqtë e tij pas vdekjes së babait në vitin 2018.

“Jeta ishte e vështirë për të. Ai dukej shumë i zhgënjyer. Ai kishte qenë një musliman praktikues, e kalonte kohën duke u falur dhe duke shkuar në xhami, por vura re se ai kishte bërë tatuazhe që janë të ndaluara në Islam.”

Njëri i është kushtuar nënës së tij, me të cilën Farruku ka ndarë ditëlindjen.

Pas vdekjes së të atit, Farruku kaloi kohë me motrat e tij në Itali dhe u përpoq të gjente një punë atje, por nuk ia doli. Të dy, Aliaj dhe Andi thanë se Farruku më pas dukej se ishte gati të transferohej në Britaninë e Madhe, ku kishte kushërinj.

“Ai donte të shkonte në Britaninë e Madhe, por për shkak se është shumë e vështirë, kërkimi i azilit ishte mënyra se si ai e kuptoi se mund të ndodhte dhe mund të kishte leje për të punuar, por unë nuk di ndonjë arsye të vërtetë që ai të kërkonte azil,”-tha Andi.

Baza e kërkesës për azil të Farrukut nuk dihet dhe kërkesa e tij po shqyrtohej nga Zyra e Brendshme në momentin e vdekjes së tij.

Të dashurit e Farrukut tani do të duhet të presin hetimin për vdekjen e tij me shpresën se pyetjet e tyre do të marrin përgjigje.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us