Rënia e numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar për shkak të zhvillimeve dhe lëvizjeve demografike, e dukshme në dekadën e fundit, ka bërë që shumë mësues të dalin “jashtë loje”.
Në rastin më të mirë, për të përfituar pagën e plotë, mësuesit japin mësim në më shumë se një shkollë me qëllim për të plotësuar orët, ndërsa në rastin më të keq mbeten pa punë. Për të rregulluar këto balanca, ministria e Arsimit ka vendosur të pilotojë një projekt duke futur konceptin e mësuesit zëvendësues, i cili s’është veçse një mësues në gadishmëri në rastet kur mungojnë mësuesit në sistem. Një skemë e ngjashme me atë të “ushtarëve rezervë” në Forcat e Armatosura, të cilët paguhen me kontratë për muaj të caktuar deri në momentin që gjendet vendi i punës. “ZVA emëron si mësues në dispozicion mësuesit që në fillim të vitit shkollor ngelen pa ngarkesë mësimore, në rast se nuk plotësohen vendet vakante, atëherë përzgjidhen aplikantët nga portali ‘Mësues për Shqipëriënë’, duke respektuar udhëzimin në fuqi”, citohet në dokumentin e miratuar.
Ministria e Arsimit ka miratuar një udhëzim, atë nr. 25 “Për pilotimin e skemës së mësuesit në dispozicion dhe detyrave të tij në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar” në të cilin paracakton numrin e mësuesve në dispozicion për çdo zyrë arsimore. Në total parashikohen 82 të tillë në të gjithë vendin, ku më së shumti do të ketë Tirana me 20 mëses, ndjekur më pas nga bashkitë e mëdha me 6 mësues, ndërsa shumica dërrmuese e zyrave arsimore do të kenë nga dy mësues në dispozicion. Bashkëngjitur janë përcaktuar edhe shkollat që do pajisen me mësues zëvendësues, që kryesisht kanë numër të madh nxënësish.
Në Tiranë, “Kongresi i Manastirit, “Edith Durham”, “Vasil Shanto”, “Fan. S. Noli” dhe “Emin Duraku”. Mësuesit në dispozicion emërohen me kontratë pune me një afat të caktuar deri në përfundimin e vitit shkollor.
Mësuesi në dispozicion del në pah kur mungojnë në punë mësues për arsye shëndetësore që marrin raport mjekësor për paaftësi të përkohshme që paguhen nga punëdhënësi, në rastet kur mungojnë mësues të tjerë që marrin leje administrative, me ose pa të drejtë page si dhe kur kryen orë përforcuese me nxënës që kanë arritje të ulëta në lëndë të caktuara.
Ngarkesa mësimore javore e një mësuesi në dispozicion është e njëjtë me atë të mësuesit të arsimit bazë apo profilit përkatës.
Sa i takon procesdurës së rekrutimit, është drejtoria e shkollës që vë në dijen zyrën arsimore për mungesën e një mësuesi me qëllim zëvendësimin e tij. Por çfarë ndodh nëse rekrutohen mësues zëvendësues por nuk ka orë ekstra për ta. Udhëzimi ka parashikuar edhe këto raste duke i dhënë detyra të tjera ekstra nga drejtoria e shkollës që mund të lidhen me përforcimin e njohurive për nxënësit me arritje të ulëta ose detyra të tjera. Përforcimi për lëndët gjuhë shqipeletërsi dhe matematikë realizohet me nga dy orë në javë, ndërsa për orët e tjera vetë një.
Nuk do të jenë mësues nga profile çfarëdo ato që mund të rekrutohen si mësues në dispozicion, por vetëm disa profile: arsim fillor, gjuhë shqipe -letërsi, matematikë-fizikë, gjuhë e huaj, biologji-kimi dhe histori-gjeografi. Të gjitha profilet mund t’i ketë vetëm një shkollë ku ka më gjashtë a më shumë mësues në dispozicion, por baza janë këta. Përveç arsimit fillor që mund dhe duhet ta japë vetëm ai mësues që ka përfunduar këtë cikël studimi, mësuesit e gjuhës shqipe e letërsisë mund të japin edhe Teatër, Art Pamor apo Muzikë. Mësuesit e Gjuhës së huaj mund të japin Anglisht ose një gjuhë të dytë çfarëdo në rast se e ka të mbrojtur. Ai i Matematikë-Fizikës, edhe Teknologji Informacioni dhe Aftësim teknologji, mësuesi i Biologji-Kimisë është i kufizuar të zhvillojë vetëm këto dy lëndë, ndërsa ai i Histori Gjeografisë mundet të japë edhe mësim të lëndëve Qytetari, Sociologji, Filozofi, Ekonomi dhe Psikologji.
Çdo mësues i rekrutuar si në dispozicion plotëson një formular ku shënohet qartë profili i tij, lëndët mësimore që ka realizuar bashkë me numrin e orëve, orët përforcuese apo të tjera që ka realizuar gjithsej.