Premtimi i administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, është se Flamurtari do ta ketë brenda kësaj jave trajnerin e ri. Madje, në prononcimin e fundit për “Panorama Sport”, Idrizi pohoi se lista e kandidatëve është reduktuar në katër emra, dy janë shqiptarë dhe dy të huaj
Gazeta zbulon se Shpëtim Duro parakalon kandidatët shqiptar dhe është më pranë rikthimit te Flamurtari. Por, një tjetër emër i preferuar nga kandidatët shqiptarë është edhe Gentjan Mezani. Nga të huajt, kuotat më të larta i ka kroati Zoran Zekiç, por problem mbetet angazhimi i tij me Sarajevën në Ligën e Konferencës. Trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Qatip Osmani, ka qenë i pari i lakuar si kandidat potencial për pankinën vlonjate. Vështrimi është hedhur edhe tek italianët, ku në listë janë emra si Kristin Broki e Masimo Odo.
Në Vlorë vijojnë të ëndërrojnë edhe për ish-trajnerin e Kombëtares, Xhani De Biazi. Por nuk është çudi që në fund të dalë edhe ndonjë emër surprizë. Idrizi pohoi se do të jetë një trajner që ka bërë mirë edhe keq në të shkuarën. Nëse i referohemi kësaj thënieje, të gjitha rrugët që çojnë te Shpëtim Duro. Por mbase është edhe taktikë e Idrizit për të devijuar trajektoren pa pasur ndërhyrje nga palë të treta.