“Transferta të vështira, por ne luajmë për fitore”, Alban Bushi para miqësoreve: Ja si frymëzohen lojtarët

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, doli sot në konferencën zyrtare për mediat, para nisjes së grumbullimit për dy ndeshjet miqësore ndaj Hungarisë (5 qershor, “Széktó Stadium”, ora 19:30) dhe Turqisë (8 qershor, “Ataturk Olympic Stadium”, ora 19:00. Ai foli për listën e lojtarëve, prurjet e reja, mungesat, përgatitjet për Europianin U-21 2027 dhe për dy miqësoret në transfertë, duke theksuar se objektivi kryesor është fitorja.

Si paraqitet gjendja e skuadrës? – Ne jemi akoma në ndërtim të ekipit U-21, me datëlindjet 2004/05 për EURO 2027. Çdo herë marrim lojtarë të rinj, si p.sh. në këtë grumbullim kemi Enes Osmanin, lojtar shumë i mirë nga Sparta e Pragës, shqiptar i Maqedonisë, të cilin e falënderoj që ka zgjedhur Shqipërinë. Gjithashtu, Aidon Shehu, i datëlindjes 2006, i cili luan me Hull City, lojtar shumë i mirë, që do të na ndihmojë shumë. Është një ekip i ri, i cili dita-ditës do ndryshime, edhe në strategji, siç po bëjmë ne në ndërtimin e skemave tona, por edhe në lojtarë, sepse nuk ka një bollëk lojtarësh nga kampionati shqiptar që mund ta ndihmojnë ekipin U-21 për momentin, ndaj jemi duke parë edhe në Europë.

Aidon Shehu dhe Giulio Velaj për herë të parë, çfarë lojtarësh janë? – Velaj është portier, i cili është grumbulluar me ne në turneun që zhvilluam në Arabi me U-19/U-20-ën, ka cilësi shumë të mira, është i gjatë dhe premtues për të ardhmen. Ndërkohë, Aidon Shehu është një mesfushor që ka kualitet, luan në Angli, së shpejti do të firmosë me ekipin e parë të Hull City, i ngjason pak Keidi Bares te ekipi i Shqipërisë, lojtar që vrapon shumë, luan thjesht dhe mendoj se do të na ndihmojë në ndeshjet tona.

Mungesa e Rashicës, Torraj dhe Kevin Zefi? –Kevin Zefi mungon për arsye proceduriale, për shkak të pasaportës, e cila nuk i është bërë akoma, jemi duke pritur. Rashica është i dëmtuar, ndërsa Torraj nuk është zgjedhur për arsye teknike nga stafi ynë.

Keni luajtur në Turqi, e njihni mentalitetin. Emocionet e rikthimit si trajner? – Turqia dhe Hungaria janë dy ekipe shumë të mira, me një nivel shumë të lartë. Hungaria është një ekip pragmatist, kompakt, luan një skemë 5-3-2, janë shumë fanatikë. Ndërsa Turqia është më kreative në stilin e saj të lojës. Të dyja janë të vështira, por ne do të shkojmë për fitore. Për ne nuk është asnjë ndeshje miqësore. Ua kemi bërë shumë të qartë djemve që në fillim se duhet të japim maksimumin që ditën e parë të stërvitjes. E pamë shumë mirë me datëlindjen 2008 se çfarë niveli kishte Franca, Anglia, Gjermania, Portugalia, na dhanë një mësim shumë të mirë. Tani duhet të punojmë shumë fort, jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje, edhe në stërvitjet e klubeve ku ata luajnë, sepse ne do të zgjedhim gjithmonë ata më të mirët. Nuk kemi grumbulluar 2 lojtarë për arsye se nuk kanë qenë shumë agresivë në stërvitje apo ndeshje, kështu do të bëjmë gjatë gjithë kohës, ai që jep maksimumin në stërvitje dhe ndeshje do të jetë pjesë e Kombëtares. Për sa i përket Turqisë, unë kam kaluar shumë vite atje, më pëlqen atmosfera atje, më pëlqen vendi dhe njerëzit. Kemi luajtur herë tjetër me Turqinë, kemi barazuar një ndeshje zyrtare në Turqi. Mendoj se do t’i mundim, edhe atë dhe Hungarinë. Mendoj që Turqia është ekip i mirë, por nuk punon me shumë strategji. Kultura turke është komplet tjetër për sa i përket futbollit. Ata janë 80 milionë banorë, kanë shumë sasi dhe cilësi, por kush shikon statistikat e tyre, nuk kanë bërë gjëra të mëdha me ekipet e moshave. Nuk i kemi frikë fare, as Turqinë e as Hungarinë.

Lajme të tjera |  6 muaj në Arabinë Saudite i mjaftuan për të fituar trofeun e parë, Mario Mitaj më i lumtur se kurrë: Faleminderit

Lojtarët nga klubet shqiptare? – Lojtarët nga kampionati shqiptar i ke më të lehtë për t’i kontrolluar, sepse komplet stafi i Kombëtares U-21 janë djem që punojnë me ekipet e kampionatit shqiptar. Por, nuk është se ka shumë nga kampionati shqiptar. Nga lojtarët që kam marrë nga kampionati shqiptar, 9 veta, kërkoj më shumë prej tyre, sidomos në ndeshjet ku ata luajnë edhe në stërvitje. Por i kuptoj shumë mirë, sepse intensiteti nuk është i duhuri në kampionat për të përballuar ekipet e forta jashtë. Ne luajtëm me Luksemburgun, na mundën 1-0. Dallimet ishin shumë të mëdha përsa i përket agresivitetit dhe intensitetit të lojës. Cilësisht dhe në qarkullimin e topit, ne ishim më të mirë se ata, por mungesa e agresivitetit bëri që të humbnim ndeshjen. Unë kërkoj më shumë agresivitet nga lojtarët e kampionatit shqiptar. Mendoj që është mirë. Përsa i përket Kombëtares U-17, mendoj se e di dhe vendos trajneri, sepse ai e njeh më mirë situatën. Por ka lojtarë të mirë në kampionatin shqiptar që mund të jenë në të ardhmen pjesë e moshave të Shqipërisë, siç janë Vogli, Mihana apo Marqeshi. Janë cilësorë dhe i njoh.

Lajme të tjera |  “Nuk kam parë kurrë në jetën time diçka të tillë”, Zinedine Zidane për Yamal: Lojtar që duhet ndjekur. Franca? Ëndërr

Përgatitjet për Europianin U-21 2027? – Ne jemi në kërkim gjithë kohës, jashtë mase. Duke i ngacmuar dhe kërkuar skautëve tanë që kemi në Europë. Pothuajse një herë në javë ne jemi në komunikim me ta, sepse duam lojtarë. Nga lista që shohim sot, mendoj që 8 ose 9 lojtarë do të jenë baza që do të përfaqësojnë ekipin, ndërsa lojtarët e tjerë do të jenë në konkurrencë edhe me ata që do të vijnë, për të qenë pjesë e listës. Mendoj që kemi marrë një lojtar shumë të mirë, Enes Osman, mbrojtës i majtë. Është hera e parë që vjen me ne. Do të na ndihmojë shumë në repartin e mbrojtjes. Nuk kemi pasur në repartin e mbrojtjes këtë lloj lojtari. As ekipi i parë, as shpresat, as moshat. Lojtar shumë i shpejtë, i mirë me topin, mendoj se do të na ndihmojë shumë. Edhe Ajdon Shehu që e thashë pak më parë. Këtë grumbullim kemi marrë këto dy lojtarë që mendoj se do të bëjnë mirë. Do të jemi duke parë pastaj në të ardhmen, nga shtatori – tetori, shpresoj të gjejmë diçka ndryshe.

Si e transferoni ju te lojtarët grintën dhe dëshirën që të fitohet çdo duel dhe çdo ndeshje? – Frymëzimi është natyral dhe mendoj që në momentin e parë që grumbullohen dhe bëjmë stërvitje, është agresiviteti, intensiteti, personaliteti dhe vetëbesimi që duhet të kemi për të mundur kundërshtarin, pavarësisht se kë kemi përballë. Me këtë filozofi ecën i gjithë stafi jonë i Kombëtares U-21. Ne jemi me këmbë në tokë kur luajmë me ekipe të mëdha, por pse mos të fitojmë. Ne e pamë ekipin U-17 që luajti kundër Francës. 35 minuta i bëri shumë të mira, ishin shumë kompaktë. Pastaj mungon cilësia, le të themi, sepse ata ishin më cilësorë se ne dhe bënin diferencën. Ne duhet të kemi vetëbesim, kjo na mungon dhe personaliteti në fushë. Kur humbim një ndeshje, e humbim vetëm për këtë arsye, jo për arsye të tjera. Unë mendoj që edhe kundërshtarët si Franca dhe Gjermania kanë më tepër cilësi, por kur ti je i përqendruar, i fokusuar gjatë gjithë grumbullimit në stërvitje, ti mund t’i mundësh ata. Kemi mundur Hungarinë për 10 minuta, i bëmë 3 gola në “Elbasan Arena”, një ekip jashtëzakonisht i fortë. Kemi mundur Zvicrën në Zvicër 2-1, një ekip shumë i mirë. Pra, ti mund t’i mundësh kundërshtarët.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us