Transporti urban i kryeqytetit dhe ai i transportit të pasagjerëve me linja detare, sipas të dhënave të operatorëve, e mbylli vitin e kaluar me reduktim pasagjerësh 20-30% krahasuar me vitin 2022. Operatorët e transportit urban dhe ata detar nuk presin rritje të numrit të pasagjerëve.
Në periudhën janar-shtator 2023, sipas të dhënave të INSTAT, 1,4 milionë pasagjerë udhëtuan me transport detar. Numri i tyre u rrit me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.
Në transportin detar me traget, çmimet e biletave mbeten të lira drejt porteve të Barit dhe Ankonës, por konkurrenca e lartë e linjave ajrore low cost nuk e favorizon shtimin e numrit të udhëtarëve edhe për këtë vit, sipas Bernard Restos, përfaqësues i kompanisë “Adria Ferris” në Durrës.
Z. Resto nuk pret rritje të numrit të udhëtarëve për destinacionet e Barit dhe Ankonës, pasi alternativa kryesore për të udhëtuar mbeten linjat e lira të avionit.
“Tashmë u bënë 8 vjet që fluksi i pasagjerëve në festat e fundvitit nuk është i lartë, pasi emigrantët e brezit të viteve ’90 nuk kanë më familjarë për të vizituar në Shqipëri. Edhe gjatë sezonit turistik nuk pati rritje të numrit të tyre.
Në anën tjetër, edhe pse çmimi i biletave të tragetit për person varion nga 40 deri në 70 euro shumë pasagjerë preferojnë për arsye komoditeti të udhëtojnë me avion apo edhe me transport rrugor.
Për këto arsye, numri i pasagjerëve vjet ishte 20% më pak se në 2022. Edhe në vitin 2024 nuk presim rritje të numrit të tyre. Në këtë situatë është e pamundur të investohet për të rritur numrin e trageteve, pasi është investim i madh që kryhet nëse fluksi i lartë është i vazhdueshëm”.
Përfaqësuesit e linjave detare e kanë ngritur edhe më parë shqetësimin për tarifat e larta të ankorimit të trageteve që i paguhen Portit të Durrësit krahasuar me portet fqinje në Itali.
Bernard Resto pohon se pritet që nga institucionet shtetërore të miratohet vendimi për shtrenjtim të tyre deri në 30%. Në këtë situatë, ai nënvizon se rritja e çmimeve të biletave do të jetë e pashmangshme, pasi shtimi i kostove do të rëndojë mbi pasagjerët.
Çmimi i biletave në transportin urban të Tiranës nuk pritet të dyfishohet në vitin 2024. Kjo është një kërkesë e vazhdueshme e operatorëve për të përballuar vështirësitë financiare të krijuara nga shtrenjtimi i çmimeve të naftës dhe rënia e numrit të udhëtarëve.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, pohoi se Bashkia e Tiranës do të japë gjatë vitit 2024 subvencion ndaj operatorëve, me qëllim mbulimin e të ardhurave të munguara nga dyfishimi i çmimit të biletës.
Operatorët nuk presin që të rritet numri i udhëtarëve për shkak të emigracionit. Z. Foni tha se vitin e kaluar, rënia e numrit të pasagjerëve ishte 35% krahasuar me periudhën para krizës së COVID-19. Rënia u ndikua edhe nga abuzimi i linjave rreth-qytetase në territorin e Bashkisë së Tiranës dhe emigracioni i popullatës.
“Largimi i qytetarëve dhe punonjësve është i frikshëm. Shumica e punonjësve, në punë vijnë vetëm për të marrë pagën. Të gjithë mendojnë se si të gjejnë mënyrën si të largohen. Largimet e punonjësve për pozicione, si: shoferë, dispeçer, faturino, kontrollor janë masive.”
Gjithashtu, sipas tij, nëse Bashkia e Tiranës nuk merr masa për përmirësimin e infrastrukturës së transportit urban, me qëllim rritjen e kapaciteteve për transport të udhëtarëve dhe eficiencën e shërbimit, duke përfshirë ndërtimin e korsive të posaçme apo edhe lirimin e stacioneve për autobusët, gjendja do të vijojë të jetë e mjerueshme.
“Pas pandemisë së COVID-19, largimi i popullatës nuk është ndalur. Edhe ikja e punonjësve do të vazhdojë. Subvencionet e përkohshme nuk arrijnë të kompensojnë humbjet në këtë sektor.
Për këto arsye, drejtuesit e linjave urbane nuk janë në gjendje financiare të marrin vendim për rritje pagash apo rritje të numrit për flotën e autobusëve. Të gjitha këto janë barriera që frikësojnë investitorët për të investuar në këtë sektor për shërbim më të mirë, kushte më të mira.
Edhe numri i pasagjerëve për sa kohë nuk ofrohet ndonjë gjë të re në shërbim do të jetë më pak se numri i tanishëm. Prej vitesh ofrohet i njëjti shërbim.
Edhe po të shtohet numri i autobusëve është investim i kotë, pasi ai do të mbetet në trafik dhe nuk do të jetë zgjidhje”. Ai tha se vetë operatorët nuk kanë mundësi të financojnë përmirësimin e shërbimit, pasi janë në kushtet për të mbijetuar./Monitor/