“Tre mandate nuk na kanë lodhur”, Rama nga Lushnja: Shqiptarët janë në themel të Europës

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim përmbyllës me elektoratin në Lushnje.

Rama ka theksuar se në 11 Maj do të dalë fitorja më e bukur e Partisë Socialiste.

“Së bashku me ato që nuk do të jenë dot në kutitë e votmit, por ndërkohë po i dërgojnë votat e tyre nga jashtë kufijve të Shqipërisë, do të bëni të mundur që nga numërimi i 11 Majit të dali fitorja më e bukur e PS”, u shpreh Rama.

Ndërkohë më tej, Rama u shpreh se mandati i katërt është një moment i rëndësishëm për transformimin e Lushnjës dhe Divjakës. Kryeministri përmendi krijimin e një baze të vërtetë të industrisë ushqimore të vendit.

“Të jeni të bindur që unë e di që kemi ende gjëra të mëdha për të bërë së bashku. Dua të besoj se ky mandat i katërt do jetë një moment i rëndësishëm për transformimin e Lushnjës dhe Divjakës në një aspekt të veçantë. Në aspektin e krijimit të një baze të vërtetë të industrisë ushqimore të vendit, të një rrjeti të vërtetë infrastrukture ku të gjitha ato që janë ndërtuar deri më sot do të lidhen të turra dhe do të shtohen si një gjerdan shumë i bukur rreth e rrotull të gjithë territorit të këtyre dy bashkive”, tha Rama.

Ndër të tjera Rama u shpreh se shqiptarët janë në themel të Europës, edhe pse historia nuk ka qenë asnjëherë ‘bujare’ me ne.

“Shqipëria nuk mund më të vazhdojë të jetojë si një popull i huaj në kufi me Europën, por është koha që të bëhet popull europian i barabartë jo vetëm me zakon, sepse me zakon ne na ka takuar gjithmonë, por edhe me ligj. Me ligj do të thotë me një identitet të ri europian, me pasaportën e BE që konfirmon atë që në fakt është identiteti ynë i vjetër, ‘shqiptarët janë në themel të Europës’. Shqiptarët kanë qenë aty gjithë kohës dhe ajo që ka ndodhur me ta në kaq shumë shekuj ka qenë pesha e një historie që nuk ka qenë asnjëherë bujare me ta”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij Rama u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

“Ju e dini se çfarë duhet të bëni më 11 maj. Por ajo që duhet të bëni deri në atë moment është që të bëni edhe të tjerët me vete, duke telefonuar ata në emigracion që i kanë marrë zarfet dhe nuk i kanë kthyer ende, për të folur me bashkëfshatarët tuaj që janë në anën tjetër dhe t’u thoni që në 11 maj nuk ka dy anë, por ka vetëm një drejtim dhe është drejtimi i Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.

Sot, vijoi ai, “jemi më të vendosur se asnjë herë për ta çuar deri në fund misionin tonë, tre mandate ne nuk na kanë lodhur, nuk na kanë hequr dëshirën për të bërë më shumë për vendin, por na kanë bindur çdo ditë e më shumë, se jo vetëm që ky vend që po bëjmë është një vend që mund të lulëzojë në mes të Europës, por ne do ta bëjmë të lulëzojë duke i dhënë atë që i ka munguar në jetë të jetëve, dinjitetin e barabartë të një vendi europian mes vendeve europiane, duke i dhënë flamurit të Skënderbeut vendin që i ka munguar në oborrin e Europës”.

Lajme të tjera |  Ngjarja tragjike në Mirditë: Po çonin rrymën elektrike në qendrën e votimit, humb jetën një nga elektricistët, 2 të tjerë plagosen

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us