Dritëro Azemi dhe 25-vjeçarja Flaka Abdullahu janë dy shtetasit nga Kosova të shpallur në kërkim, të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal që u godit nga policia e Tiranës dhe ku u sekuestruan 46 kilogramë tritol. Azemi që dyshohet edhe si koka i grupit kriminal, figuron i shpallur në kërkim edhe në vitin 2022, për plagosjen e Shpëtim Metalia, ngjarje e ndodhur në një lokal nate në Tiranë.
Azemi dhe Abdullahu dyshohet se futën sasinë e konsiderueshme të lëndëve plasëse përmes linjës së autobusëve Kosovë-Shqipëri. Së bashku me 3 të arrestuarit e tjerë, gjithashtu nga Kosova, dyshohet se ata kishin lidhje me bandat kriminale në Shkodër.
Hetuesit kanë nisur të hetojnë disa ngjarje të rënda si në Shkodër dhe në Tiranë, ngjarje të hershme me shpërthime tritoli, pasi ka dyshime se ky grup të jetë i përfshirë.
Të martën, policia e Tiranës njoftoi se kishte arrestuar Rigon Maliqin, 20 vjeç, Liron Pirën, 25 vjeç, Shkëlqim Halabakun, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan. Hetimi 4 mujor i sektorit të krimit të organizuar në Policinë e Tiranës u finalizua me sekuestrimin e 203 kallëpeve me peshë totale 46 kg.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit.
Ministri po ashtu sqaron se “sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë”.