Një gjykatë shtetërore e Rio de Zhaneiros shkarkoi nga detyra presidentin e Federatës Braziliane të Futbollit të enjten për shkak të parregullsive në procedurat që çuan në zgjedhjen e tij vitin e kaluar.
Ednaldo Rodrigues, i cili fillimisht mori detyrën si president i përkohshëm më 2021, pasi paraardhësi Rogério Caboclo u pezullua me akuza për ngacmime seksuale, mund ta apelojë ende vendimin.
Vendimi i gjykatës përfundimisht mund të bëjë që FIFA të pezullojë Federatën Braziliane, të njohur si CBF, dhe të ndalojë ekipet, zyrtarët dhe gjyqtarët e saj të marrin pjesë në lojëra dhe ngjarje ndërkombëtare.
Magjistratët Gabriel Zéfiro, Mauro Martins dhe Mafalda Lucchese vendosën kundër një marrëveshjeje midis CBF dhe zyrës së prokurorit të shtetit, që lejonte presidentin e përkohshëm të atëhershëm Rodrigues të kandidonte për postin në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Disa drejtues të CBF kanë argumentuar se Rodrigues nuk mund ta kishte nënshkruar marrëveshjen, sepse do të përfitonte vetë si kandidat. Gjykata tha në një deklaratë se “CBF do të duhet të zgjedhë një president të ri brenda 30 ditëve. Deri atëherë në krye do të jetë kreu i gjykatës sportive të vendit, José Perdiz”.
Zëdhënësi i CBF, Rodrigo Paiva i tha “Associated Press” se trupa e futbollit do të presë këshilla nga avokatët e saj përpara se të marrë vendime për rastin.
Mandati i Rodrigues në detyrë zgjat deri në vitin 2026. Ai është një tjetër president i CBF që përballet me probleme ligjore vitet e fundit, megjithëse nuk është i përfshirë në raste korrupsioni si paraardhësit Ricardo Teixeira, José Maria Marin dhe Marco Polo del Nero.
Caboclo u pezullua nga presidenca në shtator 2021 në lidhje me një rast ngacmimi seksual në CBF, i cili hapi rrugën për nënpresidentët për të zgjedhur Rodrigues si presidentin e parë me ngjyrë të Federatës Braziliane të Futbollit.
Vendimi kundër 69-vjeçarit Rodrigues mund të dëmtojë ofertën e Brazilit për të pritur Kupën e Botës për femra në vitin 2027 dhe përpjekjen e tij për të punësuar trajnerin e Real Madridit, Carlo Ancelotti, për të drejtuar ekipin kombëtar nga qershori i ardhshëm.
Rodrigues ishte në stadiumin e Belo Horizonte të mërkurën për t’i dhënë Palmeiras trofeun e titullit të kampionit brazilian, pasi skuadra me bazë në Sao Paulo barazoi 1-1 me Cruzeiro.