Një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin nga një peshkatar i zonës. Policia ka rrethuar zonën dhe për nxjerrjen e kufomës po kërkohet ndihma e polumbarëve.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme jo shumë larg nga qendra e qytetit të Elbasanit, pranë zonës së Katundit të Ri.
Trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar amator i cili njoftoi menjëherë banorët përreth dhe më pas autoritetet.
Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave.
Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit të cilët janë në veprim për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.
Mësohet se trupi më pas është nxjerrë përmes një fadrome, ndërsa është identifikuar si një mashkull, rreth 50-vjeç, por identiteti mbetet ende i pazbardhur.