Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri deklarata të shkurtra për median nga Shtëpia e Bardhë. Kur u pyet për përfshirjen e mundshme të SHBA-së në një sulm ndaj Iranit, ai e shmangu përgjigjen direkte.
“Nuk mund ta them këtë,”- tha ai, duke shtuar me tonin e tij karakteristik: Mund të sulmojmë, mund të mos sulmojmë. Askush nuk e di se çfarë dua të bëj. Ajo që mund të them është se Irani ka shumë probleme dhe dëshiron të negociojë.
Presidenti i SHBA-së përsëriti gjithashtu një qëndrim që e ka shprehur vazhdimisht ditët e fundit, duke argumentuar se Teherani duhet të kishte treguar një gatishmëri më të madhe për të negociuar para sulmit të Izraelit. Në të njëjtën kohë, ai zbuloi se negociatorët iranianë “kanë lënë të kuptohet se mund të shkojnë për të diskutuar në Shtëpinë e Bardhë“, por për Trump është shumë vonë.
“Negociatat janë të vështira sepse është tepër vonë për diskutime. Ka një ndryshim të madh midis situatës aktuale dhe situatës së një jave më parë,“-shtoi Trump në deklaratën e tij. Ai e përshkroi Iranin si një vend plotësisht të pambrojtur, ndaj theksoi se ka vetëm një zgjidhje për ta.
“Ka vetëm një zgjidhje me dy fjalë të thjeshta: dorëzim pa kushte,“-tha Trump, duke e mbyllur pa dhënë përgjigje konkrete para mediave.
Ndërkohë dje, në Shtëpinë e Bardhë, Trump mblodhi për më shumë se një orë Këshilltarët e Sigurisë, por askush nuk e di se çfarë u diskutua gjatë takimit. E vetmja gjë që dihet me siguri është se kryefjala e bisedave ka qenë çështja e Iranit.