Ish-presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton idenë e përfundimit të një marrëveshjeje me koreano-veriorin Kim Jong Un, që do t’i lejonte këtij të fundit të mbante disa armë bërthamore, nëse Trump fiton një mandat të dytë, vitin e ardhshëm. Njerëzit pranë Trump thanë se ai po shqyrtonte një marrëveshje, me anë të së cilës Kim do të shkurtonte disa programe bërthamore dhe në këmbim do të merrte ndihmë ekonomike nga SHBA-të.
Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut tha së fundmi se priste që fqinji i saj të kryente një test bërthamor vitin e ardhshëm – i pari që nga viti 2017. Tensionet në Gadishullin Korean janë tashmë në nivelin më të lartë ndër vite. Kim besohet se po përshpejton programin e tij bërthamor dhe raketor dhe ka përfshirë në ligj të drejtën e vendit të tij për të nisur sulme parandaluese. Duke parë këto zhvillime, Trump thuhet se dëshiron të arrijë një marrëveshje. “Ai e di se duhet një marrëveshje”, tha një burim për Politico. Çfarë lloj marrëveshjeje? ‘Unë nuk mendoj se ai e ka menduar këtë deri në fund”,shtoi burimi.
Një mendim i tillë do të përmbyste qëndrimin e Uashingtonit ndaj Koresë së Veriut, si dhe pozicionin e linjës së ashpër të SHBA, por nisin që të vihen në pah marrëdhëniet miqësore të Trump me udhëheqësit e Koresë së Veriut. Një nga idetë që po shqyrtohet, thanë burimet për Daily Mail, do të përfshinte inkurajimin e Kim për të ngrirë programin e tij bërthamor, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe premtim për lehtësim nga sanksionet ekonomike.
Marrëveshja do të përfshinte një mekanizëm verifikimi, për të siguruar që Kim mbajti fjalën. Politika aktuale e SHBA kërkon që Pheniani të heqë dorë nga armët e tij bërthamore. Një pjesë e motivimit të Trump për ndryshimin e kursit politik amerikan thuhet se vjen nga fakti se marrëveshja do të lejonte një administratë të re të kursente burime dhe energji në bisedimet e pakuptimta të armëve, të cilat mund të ripërqendrohen në kërcënimin e madh që vjen nga Kina.
Por, ka të ngjarë që marrëveshja të trondisë aleatët si Japonia dhe Koreja e Jugut, si dhe republikanët në Kongres. Gjatë mandatit të parë, Trump dhe Kim kishin dhe deklarata luftënxitëse në distancë. Trump e quajti Kim-in “njeriu i vogël raketë” dhe në një moment ai diskutoi madje idenë për të nisur një sulm bërthamor ndaj Koresë së Veriut dhe për të fajësuar një vend tjetër. Qasja e tij më vonë u zbut. Të dy udhëheqësit u takuan në vitin 2019 dhe i dërguan letra personale njëri-tjetrit, megjithëse marrëdhënia e tyre nuk çoi në një marrëveshje për arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut.
Ekspertët vlerësojnë se Koreja e Veriut ka ndërtuar të paktën 40 koka luftarake dhe mund të ketë më shumë se 100. Trump është kndidati kryesor për të fituar nominimin republikan për vitin 2024 dhe aktualisht kryeson sondazhet kombëtare në raport me presidentin Biden.