Presidenti amerikan Donald Trump, përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ka paralajmëruar në mënyrë të qartë vendosjen e tarifave shtesë prej 50% ndaj Bashkimit Evropian duke filluar nga 1 qershori 2025, duke theksuar se negociatat me udhëheqësit e BE-së nuk kanë dhënë rezultat.
Presidenti republikan e konsideroi si të papranueshëm “deficitin tregtar vjetor prej 250 miliardë dollarësh” dhe sqaroi se nuk do të vendosen tarifa shtesë nëse produktet janë të prodhuara ose të përpunuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Bashkimi Evropian, i cili është krijuar fillimisht me qëllim për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara në fushën e TREGTISË, është treguar një kundërshtar shumë i vështirë.
Pengesat e forta tregtare, taksat e TVSH-së, sanksionet qesharake ndaj kompanive, barrierat jotarifore, manipulimet monetare, paditë e padrejta dhe të pajustifikuara ndaj kompanive amerikane dhe të tjera kanë çuar në një deficit tregtar me SHBA-të që e kalon shumën prej 250 miliardë dollarësh në vit, një shumë që është tërësisht e papranueshme.
Negociatat tona me ta nuk po çojnë askund! Për këtë arsye, propozoj vendosjen e menjëhershme të një tarife 50% ndaj Bashkimit Evropian, që do të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025. Nuk do të ketë tarifë nëse produkti është i prodhuar ose i përpunuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju faleminderit për vëmendjen në këtë çështje!”, shkruan Trump.
Njoftimi shënon një përshkallëzim të luftës tregtare të Trump me BE-në, e cila tashmë është goditur me një tarifë prej 20% për të gjitha eksportet amerikane.