‘Tym i zi’ në Kosovë, Kurti nuk gjen dot konsensus me partitë pas 2 orësh takim! Opozita: I papërgjegjshëm! Kryeministri: Ofruam kompromis, nuk bllokojmë ne

Takimi i thirrur të shtunën nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, me përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit të ri, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje apo lëvizje konkrete drejt zgjidhjes së krizës politike. Takimi u mbajt pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese që detyron deputetët të përfundojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik. Nga ana tjetër pjesëmarrësit nga radhët e opozitës e konsideruan takimin të pasuksesshëm.

Pas takimit me krerët Kurti është shprehur se takimi sipas tij ishte i mirë dhe u qartësuan shumë gjëra. Nga ana tjetër ai theksoi se kishte fituar në 9 Shkurt dhe se populli kishte kërkuar që të ndërrohet opozita.
“Unë kam marrë shumicën më të madhe të parlamentarizimit në Kosovë. Takimi ishte i mirë u qartësuan disa gjëra mes nesh. Nga ana tjetër lëshuam, por s’duan kompromis. LDK dhe PDK janë duke e parë gabim atë që ka thënë Kushtetuesja. Nuk jemi ne bllokues, ofruam kompromis. ‘-tha Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se pavarësisht vullnetit të tyre për të kontribuar në zgjidhjen e ngërçit, rezultati i takimit ishte zhgënjyes. Ai e quajti takimin një “aktrim politik”

“Morëm pjesë me vullnetin më të mirë për të gjetur zgjidhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër farsë publike sesa substancial. Fatkeqësisht, droja jonë u vërtetua. Insistimi në pozicionet paraprake e bën të pamundur lëvizjen nga kjo gjendje. Kurti tregoi papërgjegjshmëri.”-u shpreh Abdixhiku.

Lajme të tjera |  Nga Italia e Spanja deri te Greqia dhe Shqipëria: Një “Kupolë nxehtësie” po përvëlon Europën

Në një linjë të ngjashme, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, vlerësoi se takimi ishte një “farsë politike”, duke akuzuar Kurtin për mungesë sinqeriteti dhe përpjekjeje reale për të arritur konsensus.

“Përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë pas aktgjykimit, Kurti është i njëjtë, dhe qëndrimet e tij janë të njëjta”-tha  Krasniqi.

Ndërkohë, Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar për shkak të mungesës së marrëveshjes për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve. Pika më e nxehtë e mosmarrëveshjes mbetet propozimi i Vetëvendosjes për të kaluar nga votimi i hapur në të fshehtë – një kërkesë që është kundërshtuar nga partitë opozitare dhe që është vlerësuar nga shumë si jokushtetuese.

Pas aktvendimit të fundit, partitë politike e kanë interpretuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mënyra të ndryshme. Përderisa përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, si ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pretendojnë se “votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra është i lejuar”, për PDK-në dhe LDK-në kjo është e papranueshme.

Lajme të tjera |  "1 në 50 emigrantë shqiptarë janë në burg", Rama sfidon deputetin britanik: Herën tjetër kur dikush përgojon shqiptarët...

Krasniqi theksoi se “rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”. LDK nga ana tjetër tha se aktgjykimi e ka bërë të qartë se Vetëvendosje nuk mund ta bllokojë procesin dhe se duhet të arrijë ose shumicë, ose konsensus.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka sqaruar gjithashtu se aktgjykimi ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e rregulluar qartë nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit dhe nuk ka vend për improvizime.

“Ajo që është bërë nga z. Dehari është tërësisht jokushtetuese,” ka deklaruar Hasani, duke shtuar se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e 8 prillit, ku nuk ishte parashikuar votim i fshehtë.

Ai theksoi se në asnjë legjislaturë të mëparshme nuk ka ndodhur ndryshim i rendit të ditës nga kryesuesi dhe se procedura duhet të mbetet e njëjtë si në të kaluarën.

Afati i fundit për konstituimin e Kuvendit është 26 korriku. Deri atëherë, mbetet e paqartë nëse do të arrihet një kompromis apo kriza politike në Kosovë do të thellohet më tej.

 

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us