SERBI – Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hasan Dakajt, që u arrestua nga autoritetet serbe të premten në pikën kufitare të Merdarës, i është caktuar masa e paraburgimit për 1 muaj në Serbi. Një gjë të tillë e ka konfirmuar avokati i familjes Dakaj, Xhevdet Smakiqi.
“Ai ndodhet në Beograd, e kanë dërguar në qendrën e paraburgimit në Kushumli. Mbrëmë vonë unë kam marrë informacione nga avokati i caktuar nga shteti serb, që i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe tashmë kemi për të bërë ankesë”,ka deklaruar avokati. Ai tha se Dakaj dyshohet për krime lufte. Hasan Dakaj u arrestua më datë 5 janar 2024, nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Merdarës. Dakaj, me origjinë nga Prizreni akuzohet nga autoritetet e Serbisë për krime lufte. Serbia pretendon se Dakaj ka kryer krime lufte në kohën që ka qenë 19 vjeç, më 1999.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës:
Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës ka dalë me deklaratë, duke thënë se kanë njoftuar zyrën e BE-së në Serbi, Ambasadën e ShBA-së dhe atë të Britanisë së Madhe.
“Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi”, thuhet në njoftim.
MPJD thotë se dënojnë ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet tutje në njoftim.
MPDJ ka njoftuar se do t’i paraqesë kërkesë autoriteteve serbe për ta lejuar ambasadorin Jashari që ta vizitojë të arrestuarin Hasani.