Selim Gjuni, një shqiptar i arrestuar në Britaninë e Madhe është dënuar me 21 muaj burg. Ai u arrestua në tetor të vitit 2023 pasi u kap brenda një ‘shtëpie bari’ në Britani. Gjuni ishte në gjumë kur efektivët britanikë mbërritën në Lichfield Close, në zonën ku ndodhej shtëpia që punonte shqiptari, në të cilën kultivohej kanabis. Jeremy Barton, avokati mbrojtës i të riut tha se ai ka qenë i detyruar të bëjë këtë punë, pasi kishte borxhe të të atit për të shlyer.
“Ky i pandehur erdhi në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022 me gomone. Nuk do të jetë çudi që arsyet e tij për të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar ishin për qëllime të mira. Shumë pak njerëz bëjnë të tilla udhëtime që të vënë në rrezik jetën, por babai i tij u përfshi në borxhe për shkak të varësisë ndaj alkoolit dhe lojërave të fatit. Arsyeja e largimit ishte për shkak të kërcënimeve sepse babai i tij nuk mund të paguante borxhet e tij. Gjuni priste një shpërblim financiar për atë që po bënte. Ai është i shqetësuar se çfarë do të ndodhë nëse kthehet në Shqipëri,”- u shpreh avokati.
Mirëpo gjyqtari vulosi dënimin dhe me përfundimin e tij, Gjuni do të kthehet në Shqipëri.