Gazetari Elton Qyno, i cili u mbajt për mbi 10 orë në ambientet e SPAK, në një intervistë për Syri TV ka treguar momentet e përballjes me prokurorët e SPAK dhe OPGJ-të. Ai tha se zyrtarët e SPAK kanë këmbëngulur, që ai të tregonte burimet.
Në rrëfimin e tij, Qyno është shprehur se është ndjerë i prerë në besë nga prokurorët e SPAK-ut, pasi ishte thirrur për të parë një dokument, por se më pas ishte mbyllur me çelës dhe nuk ishte lejuar që të dalë nga ambientet e Strukturës së Posaçme.
“Më është kërkuar nga prokurori i çështjes, që unë të dorëzoj telefonin. Unë nuk i kisha telefonat e mi, sepse i kisha lënë me një kafe dhe nuk i kisha fshehur, thjesht i kisha lënë në një banak lokali. Nuk mund të mbahet gazetari i mbyllur, me derën me çelës dhe të mos lejohet me orë të tëra të dalë jashtë, por të mund të shkojë vetëm në tualet. E gjitha kjo u bë që të dorëzoj telefonat. Më thanë ‘çfarë je ti kështu që nuk dorëzon telefonat’, gjëra të tilla. Këto skena nuk i kam provuar ndonjëherë gjatë karrierës sime. Unë jam një gazetar që jam pyetur 12 herë nga prokurorë, për nxjerrje të sekretit hetimor.
Jam thirrur duke nisur nga çështja e Gërdecit, kur hetohej nga Prokuroria e Përgjithshme nga kryehetuesi Zamir Shtylla në atë kohë, deri në ditët e sotme. Si kjo nuk më kishte bërë ndonjëherë vaki. Unë futem në ‘kllapa’ e nuk lejohem që të dal nga zyra, vetëm që të dorëzoja telefonat. Në fakt unë këmbëngula që të mos dorëzoj telefonat dhe këtë gjë e kam bërë deri në fund, sepse nuk kisha asnjë arsye, së pari ishte etika ime profesionale, së dyti statusi im prej gazetari që nuk më lejon të tregoj burimin e lajmeve, së treti m’u duk sikur m’u bë një pabesi aty brenda, sepse më thirrën për tjetër gjë dhe më kërkuan të tjera gjëra.Shkresa që kam firmosur më herët nuk ka lidhje me çështjen që isha thirrur tani, sepse shkresa ishte për operacionin ‘Plumbi i artë’, kur kjo çëshje ishte nën hetim. Unë i kam qëndruar rigoroz asaj shkrese. Kur çështja ka shkuar në gjykim dhe një pjese të të pandehurve iu është komunikuar edhe akuza dhe një pjesë aktesh e kanë marrë edhe avokatët, unë kam gjurmuar aktet dhe përmes burimeve të mia e përmes avokatëve, kam marrë një pjesë të materialeve që më interesonin. Kur çështja shkon në gjyq, jo vetëm unë, por edhe gazetarë të tjerë marrin materiale dhe publikohen. Nuk është ky rasti. Sepse nëse SPAK i qëndronte urdhrit të 2022, pse dje më dha urdhër të dytë të 2023?”, tha Qyno.
Gazetari Elton Qyno, që prej vitesh mbulon sektorin e Prokurorisë, është thirrur në SPAK. Që prej 10:00 të paradites së sotme është marrë në pyetje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai u mor në pyetje me kërkesë të prokurorit Behar Dibra. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e gazetarit. Lidhur me marrjen e tij në pyetje, ka pasur edhe reagime të kolegëve të tij.l