TIRANË- Leonard Farruku, një emigrant shqiptar që vdiq muajin e kaluar në një anije që strehoi emigrantë në Mbretërinë e Bashkuar, u varros sot në Tiranë, në një funeral ku morën pjesë të afërmit e tij. Vdekja e Farrukut, 27 vjeç, ringjalli polemika rreth “Bibby Stockholm”.
“Ai thoshte se po trajtohej shumë keq atje … si një kafshë,”-tha tezja e Farrukut Drita Kapllani për Reuters, duke fshirë lotët, ndërsa shtoi: Shpirtrat dhe zemrat tona do të kenë paqe vetëm kur e vërteta të dalë në shesh.


Lidhur me vetëvrasjen e shqiptarit, Ministria e Brendshme britanike tha: Ky ishte një incident tragjik dhe mendimet tona janë me të gjithë të prekurit. Kjo është duke u hetuar nga policia dhe eksperti.
Vdekja e tij më 12 dhjetor ishte një tronditje për familjen e Farrukut, të cilët thanë se ai shpërndante pica në Tiranë, ishte i qetë dhe punëtor, megjithëse si shumë të rinj shqiptarë luftonte për të fituar shumë para.