Ajo që bëri mesditën e së shtunës Valencia në “Santiago Bernabeu” përballë Realit të Madridit, nuk ndodhte që nga viti 2008. 17 vjet më parë ishte fitorja e fundit e portokallinjve valencianë përballë mbretërorëve në shtëpinë e tyre. Asokohe Valencia nuk ishte “kundërshtarja e lehtë” e viteve të fundit në presidencën e Limit, që këtë vit, më shumë se kurrë e më seriozisht se kurrë, rrezikon rënien nga kategoria. Për Valencian 17 vjet më parë luanin emra si David Vija dhe Arzimendi në sulm, i pari që shënoi dygolësh në fitoren 2-3 dhe i dyti një tjetër gol. Valencia asokohe, që drejtohej nga Ronald Kumani, kishte emra si Hildebrandi në portë, Marçena, Albelda, Migeli në mbrojtje, në mesfushë tru dhe muskuj: Banega, Maduro, David Silva, Huan Mata, Hoakin, Baraha. Zëvendësues të gatshëm në sulm kishte edhe ish-madrilenin Morrientes.
Heroi i ndeshjes së sotme ishte portieri gjeorgjian i skuadrës, Mamardshvili, që përveçse një penalltie të Vinisiusit, ndaloi disa herë sulmet e përsëritura të lojtarit më kërkues të madrilenëve, Mbapesë.
Golin e parë e shënoi Diakabija me kokë pas një goditjeje këndi. Një goditje këndi solli edhe barazimin në fillim të pjesës së dytë për madrilenët, me gol të Vinisjusit. Vetëm goli i lojtarit të ardhur nga stoli, Hugo Duro. Goli erdhi pas një aksioni që përfshiu në minutën e nëntëdhjetë Pepelunë në mesfushë, Diego Lopezin dhe Rafa Mirin në krahun e djathtë, asisti i të cilit gjeti Hugo Duron në pozicion shënues, 1-2.
Reali mbetet edhe më pas se sa Barcelona kryesuese dhe i shton presionin dhe vështirësinë vetes. Valencia ngjitet në vendin e pesëmbëdhjetë, një ndeshje më shumë dhe 7 pikë mbi vendin e tetëmbëdhjetë, që bie nga kategoria direkt.
Karlos Korberani, trajneri i Valencias, me këtë fitore “historike”, rreshton pesë rezultate pozitive në pesë javët e fundit: fitore me Realin e Madridit, Majorkën dhe Valadolidin, barazime me Gironën dhe Osasusën, 11 pikë në 5 javë.