Nga Eduard Zaloshnja
Deri në ditën që u zyrtarizua votimi i emigrantëve me postë ndërkombëtare nga vendet ku kishin emigruar, argumenti kryesor opozitar ishte se qindra mijëra votuesit opozitarë që kishin emigruar gjatë 12 vjetëve të “regjimit Rama” do të votonin në mënyrë masive kundër tij. Sipas këtij argumenti, votuesit e këtushëm opozitarë ishin të frikësuar nga “regjimi Rama”, kurse votuesit opozitarë jashtë vendit nuk do të kishin frikë ta dërgonin votën në mënyrë anonime me postë ndërkombëtare.
Dhe kur votat nga emigracioni erdhën në KQZ, pretendimet opozitare ishin se në Greqi, kompania postare gjermane DHL kishte përdorur nën-kontraktorë grekë të korruptuar nga “regjimi Rama”. Për të qenë brenda, KQZ-ja i la më vete votat e ardhura nga Greqia, që të numëroheshin në fund.
Po çfarë ndodhi deri para fillimit të numërimit të votave nga Greqia?
Nga të gjitha vendet e botës (përveç Greqisë) kishin ardhur vetëm 40 mijë vota për Aleancën për Shqipërinë Madhështore (PD+LSI+PDIU+etj)… Dhe megjithë votat e këtushme, kjo aleancë shkoi gjithsej deri në 520 mijë vota, ose deri në 7/10 e votave që morën partitë përbërse të saj para katër vjetësh. Dhe atëherë, emigrantët nuk mund të votonin dot, as me postë e as duke ardhur fizikisht këtu…
Duke përmbledhur, dallga e shumëpritur kundër “regjimit Rama” (si jashtë, edhe brenda vendit) rezultoi thjesht në një valë të lehtë që vetëm sa e përkëdheli murin elektoral të Ramës…