Mijëra banorë po largohen nga Santorini pasi qindra tërmete vazhdojnë dhe lëkundin ishullin. Rreth 9,000 njerëz janë larguar nga ishulli që nga e diela, me fluturime shtesë emergjente janë planifikuar edhe për gjithë ditën e sotme. Më shumë se 300 tërmete janë regjistruar në dy ditët e fundit pranë ishullit dhe disa ekspertë thonë se lëkundjet mund të vazhdojnë për javë të tëra. Autoritetet kanë mbyllur shkollat dhe kanë lajmëruar qytetarët që të shmangin grumbullimet, por kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar qetësi.
Santorini është një destinacion popullor turistik, por shumica e atyre që largohen janë vendas, pasi shkurti është jashtë sezonit të pikut turistik.
Disa ditë aktiviteti të vazhdueshëm sizmik ka bërë që disa banorë të flenë në makina- të frikësuar që të kalojnë natën në shtëpinë e tyre.
Deri më tani nuk janë raportuar dëme të mëdha në ishull përveç shembjes së dherave, por paralelisht janë marrë masa emergjente për çdo rast.
“Gjithçka është e mbyllur. Askush nuk punon tani. I gjithë ishulli është zbrazur,”-tha një 18-vjeçar vendas për agjencinë e lajmeve “Reuters” para se të hipte në traget dhe të largohej nga ishulli. Mediat lokale raportojnë se rreth 6,000 njerëz janë larguar nga ishulli me traget që nga e diela, dhe 2,500-2,700 pasagjerë të tjerë kanë fluturuar nga Santorini në Athinë me aeroplan. Ishulli është thuajse i zbazur duke marrë parasysh se janë larguar mbi 1100 banorë, nga 15,500 që ka gjithsej ishulli.
Ishulli mirëpret miliona turistë çdo vit, por rezervimet këtë periudhë të vitit janë minimale, kështu që banorët dhe punëtorët vendas përbëjnë shumicën e të evakuuarve. Kostas Sakavaras, i cili ka 18 vjet që jeton në Santorini, u largua nga ishulli me gruan dhe fëmijët e tij të hënën.
“Ne e konsideruam si zgjedhjen më të mirë. Nuk na ka ndodhur asgjë, por kjo është pjesa më e frikshme…se thjesht presim,”-tha ai duke shtuar se planifikon që të kthehet në banesën e tij pasi shkollat të rihapen.

Shkollat janë planifikuar të qëndrojnë të mbyllura në ishull deri të premten. Autoritetet gjithashtu kanë paralajmëruar njerëzit që të shmangin zona të caktuara të ishullit dhe të zbrazin pishinat e tyre. Kryetari i bashkisë së Santorinit, Nikos Zorzos, tha se aktiviteti sizmik mund të zgjasë shumë javë.
“Na duhet durim dhe qetësi,“-tha ai.
Sizmologët i konsiderojnë lëkundjet e fundit si të vogla, duke mos e përjashtuar mundësinë e një lëkundjeje të madhe. Shumica e tërmeteve më të fortë e kanë origjinën nga një zonë rreth ishullit të vogël Anydros, në veri-lindje të Santorinit. Me aktivitetin sizmik që mbetet intensiv në rajon, shkencëtarët janë në gatishmëri jo vetëm për Santorinin, por edhe për Amorgos, Anafi dhe Iosin. Shkencëtarët nuk mund të parashikojnë kohën, madhësinë ose vendndodhjen e saktë të tërmeteve, por lëvizja që po ndodh aktualisht në ishull, i ka bërë të besojnë se mund të ketë një lëkundje të fortë.