Një grup ekspertësh mjeko-ligjor do të kryejnë ekspertizën e 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili ndërroi jetë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në dhëmbë, në klinikën “Splendent”, e mjekut Roland Xhaxho. I mituri dyshohet se ka ndërruar jetë për shkak të një mbidoze narkoze. Kjo ekspertizë e dytë vjen pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Tiranës, sipas së cilës, ekspertiza e parë ishte e paplotë.
Brian Spahiu ndërroi jetë në datën 28 shtator. I vogli u dërgua në klinikë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për gjashtë orë. Sipas dëshmive, mjeku anestezist Roland Xhaxho u kishte garantuar familjarëve se procedura ishte një sukses dhe fëmija iu është dorëzuar familjarëve për ta marrë në shtëpi rreth orës 19:00, sipas tyre po në gjendje të pavetëdijshme.
Menjëherë pas dërgimit në banesë, djalit i është rritur edhe temperatura, gjë që ka alarmuar prindërit të cilët e kanë dërguar më pas në Pediatrinë e QSUT-së, ku Brian është intubuar për shkak se sipas mjekëve, mëlçia e tij kishte dalë jashtë funksionit. Ai ka qëndruar në terapi, e cila nuk ka dhënë rezultat dhe më 1 tetor, i vogli ka humbur jetën. Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar në Polici, por deri më tani, askush s’është vënë në pranga.