Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u shprehur se beson në ndarjen e pushteteve dhe uroi të vendoset drejtësi për rastin.
Ai u shpreh se si politikan e sheh rastin me doza tolerance dhe se Veliaj mund të hetohej pa një masë sigurie
“Jam politikan, jam me doza tolerance, do konsideroja që procesi të vazhdonte pa u prekur dhe jo me masa të kësaj natyre”, tha ish-presidenti në “Kjo Javë” në News 24.
Bamir Topi: Kur janë çështje të drejtësisë, e kam të vështirë të interferoj, sepse nuk kam fakte. Jam shumë koshient për atë që dua të funksionojë, për ndarjen e pushteteve. Ka një vendim të SPAK, por ka edhe një gjykatë, çështja është në proces dhe ka një mbrojtje ligjore që duhet të mbrojë klientët.
Kur çështja prek gjithë situatën familjare, nuk më vjen mirë fare. Politika është politikë, por nuk mund të ndajmë veten nga marrëdhëniet njerëzore. Uroj që gjithçka të shkojë mirë për familjen Veliaj, që të vendoset drejtësia dhe uroj që të ketë drejtësi.
Pyetje: Ishit për një masë ekstreme për Veliajn? Apo si kryebashkiak duhet të vazhdonte detyrën?
Topi: Jam politikan, jam me doza tolerance, do konsideroja që procesi të vazhdonte pa u prekur dhe jo me masa të kësaj natyre!
Ish-presidenti ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se SPAK nuk duhet të guxojë të prekë telefonin e tij.
Topi tha se deklarata e kryeministrit vjen pas një situatë psikologjike jo të qëndrueshme dhe në një kohë jo të mirë, pasi sipas tij, Rama s’mund të jetë i qetë me atë që po ndodh në kampin e tij.
Topi: Deklarata e Ramës vjen nga situate psikologjike jo e qëndrueshme, jo e mirë. Ai nuk mund të jetë i qetë me atë që po ndodh në kampin e tij.
Ai shikon që hetimet lidhen patjetër me pozicionin e tij, sepse kur bashkëpunëtorët po hetohen për shumë afera, si është e mundur që i pari i punës të jetë jashtë këtyre aferave.
Ai thotë që është jashtë, por duhet të pranojë tjetrën, që je totalisht i paaftë për të administruar një ekip që vepron jashtë teje ndërkohë që ti je i pari tyre.
Është momenti kur duhet të pranosh njërën nga të dyja, unë nuk e di cila është. O je i paaftë për të kontrolluar ekipin, o je bashkë me ekipin.