Arenc Hasalla, vëllai i së ndjerës Irida Hasalla, e cila humbi jetën pas një ndërhyrje plastike në spitalin Amerikan 2 është betuar për hakmarrje.
Vëllai i të ndjerës, ka ndarë një foto krah 28-vjeçares, ku shkruan “Si na le kështu o zemra vëllait. Si do jetoj jetën pa ty. Hakun tënd do e marrë vëllai jot”.

Sipas tij mjekët e futën në operacion motrën e tij edhe pse kjo e fundit vuante nga kanceri. Ai thotë se mjekët i kanë thënë motrës se nuk ka pasur rrezik nëse i nënshtrohej kësaj ndërhyrje kirurgjikale për të cilën janë paguar 4 mijë euro, sipas familjarëve. Arenci tregoi se motra nuk duhej të ishte futur fare në operacion pasi trupi i saj nuk e përballonte narkozën, duke qenë se prej 2 vitesh vuante nga kanceri.
Policia ka filluar hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e vdekjes, pasi familjarët kanë bërë denoncimin. Për ngjarjen është ngritur grupi hetimor dhe ka nisur marrja në pyetje e mjekes, Rezarta Kapaj dhe anestezistit që ka marrë pjesë në operacion. Por deri më tani, ndaj tyre nuk ka ende asnjë masë ndalimi.