Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, ka publikuar Planin e ri të Veprimit për sigurinë në shkolla.Manastirliu tha se është vendosur të mbyllet rrjeti social Tik Tok.
Ajo shtoi se do të ketë edhe monitorim të shkollës dhe të parametrit të sigurisë me kamera inteligjente. Gjithashtu, ministrja deklaroi se do të dyfishohet numri i oficerëve të sigurisë.
Ogerta Manastirliu: Shumica e prindërve janë pro mbylljes së Tik Tok. Janë edhe për aksesin e kufizuar të adoleshentëve në rrjetet sociale, pasi ndikojnë në shëndetin mendor të fëmijëve. Bota virtuale shpesh shfaq edhe probleme. Përmes një planit të ri, ne synojmë që të rrisim sigurinë në shkollë dhe jashtë saj.
Plani i Ri i Veprimit ka katër shtylla kryesore, ku siguria fizike e dixhitale është prioritet. Ne kemi vendosur bllokimin e Tik Tok-ut. Ne do vendosim kamera inteligjente, për vëzhgim efektiv në shkollë dhe jashtë shkollës. Do dyfishojmë oficerët e sigurisë në shkolla. Do ketë më tepër psikologë në institucione arsimore.
Pasi u hodh për konsultim publik, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu thotë se do të bllokojnë TikTok. Në një takim me mësues e prindër, Manastirliu nuk dha shumë detaje, ndërsa tha se sipas konsultimit publik 90% e prindërve janë pro bllokimit ose kufizimit të platformës.
Në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet. Për rritjen e kësaj sigurie kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentash që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI. Po ashtu, do të vendosim kamera inteligjente përmes projektit ‘Smart City’, duke siguruar një monitorim më efektiv brenda shkollave dhe perimetrit të tyre. Në dy vitet e ardhshme do të dyfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë, duke arritur në 500, dhe do të ngremë një strukturë të dedikuar brenda drejtorive arsimore për të koordinuar detyrat e oficerëve të sigurisë dhe bashkëpunimin me njësitë lokale të mbrojtjes së fëmijëve.”
Ministrja prezantoi Plani i Ri i Veprimit, në përfundim të turit të konsultimeve me prindër, ku u realizuan 1300 konsultime me pjesëmarrjen e 65 mijë prindërve në të gjithë shkollat e vendit, për të adresuar dhe përmirësuar sigurinë në shkolla. Ky plan synon të forcojë masat kundër dhunës, bullizmit, dhe kërcënimeve digjitale, duke ndërtuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për fëmijët.
Duke folur për rëndësinë e mbështetjes psikosociale, ministrja theksoi: “Jemi të ndërgjegjshëm se tek nxënësit po rritet nevoja për mbështetje multidisiplinare, sidomos për sa i përket mbështetjes psiko-emocionale dhe adresimit të shqetësimeve të moshës. Për këtë arsye, kemi planifikuar shtimin e 350 punonjësve psikosocialë, duke arritur në 1,200 brenda dy viteve të ardhshme. Bashkë me partnerët tanë të shoqërisë civile dhe institucioneve akademike, do të ngremë një Rrjet Kombëtar për Sigurinë Online, që do të ndihmojë në mbrojtjen digjitale të nxënësve.”
Ministrja Manastirliu nënvizoi rolin e edukimit dhe ndërgjegjësimit.
“Nuk mund të ketë siguri pa edukim. Miratimi i Kodit të Ri të Etikës për mësuesit, fuqizimi i Këshillave të Prindërve dhe organizimi i Kuvendeve Rajonale periodike janë hapa thelbësorë për të ndërtuar një front të përbashkët në edukimin e fëmijëve. Gjithashtu, përmirësimi i kurrikulave dhe teksteve të Edukimit Qytetar, Digjital dhe Ligjor do të ndihmojë në formimin e një brezi më të ndërgjegjësuar dhe më të përgjegjshëm.”, tha Manastirliu.
Në përmbyllje, ministrja foli për konceptin e Shkollës së Hapur si një nga katër drejtimet e Planit të Ri të Veprimit.
“Një shkollë e hapur është një shkollë që shërben komunitetin. Do të zgjerojmë programet ‘Shkolla Qendër Komunitare’ dhe ‘Ekipet Sportive në Shkolla’, duke përfshirë mbi 20,000 nxënës në aktivitete jashtëshkollore sportive. Nga viti 2025 do të pilotojmë shkollat verore në Tiranë, për të siguruar që fëmijët të kenë hapësira të sigurta edhe jashtë orarit mësimor.”
Manastirliu përfundoi duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me prindërit: “Ky plan nuk mund të jetë i suksesshëm pa ju, të dashur prindër. Ju jeni partnerët më të ngushtë të mësuesit dhe kontributi juaj është i pazëvendësueshëm për të ndërtuar shkolla të sigurta dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
4 pikat e planit
1-Siguria fizike dhe dixhitale: Bllokimin e Tik tok bazuar në një paketë masash që po punojnë Agjencia kombëtare e sigurisë së informacionit. Vendosjen e kamerave inteligjente duke siguruar monitorim efektiv brenda periudhës së zbatimit të këtij plani. Dyfishimin e numrit të oficerëve të sigurisë, në 500 . Strukturë brenda drejtorive arsimore që do merret me menaxhimin e punës së oficerëve. Axhenci e Posacme për sigurinë në Shkolla.
2-Rrjetet e mbështetjes psikosociale
3-Edukim dhe ndërgjegjësim
4-Shkolla e hapur