Kryetari i Lëvizjes Demokratike në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhiti ka konfirmuar pjesëmarrjen tashmë edhe faktike të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 8 majit. VV pritet të jetë në listë me opozitën në Maqedoninë e Veriut.
Anëtarë të LVV të Albin Kurtit do të jenë pjesë e listave të zgjedhjeve të Lidhjes Europiane për Ndryshim. Mexhiti tha se Albin Kurti gëzon respekt si politikan, për faktin përpiqet të luftojë korrupsionin, si dhe njihet për luftën e tij të pandërprerë për funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Vetëvendosje de jure nuk do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhje, por de fakto po sepse anëtarë të saj do të jenë në listat zgjedhore siç është Bekim Qoku strugan dhe që ka qenë deputet në parlamentin e RMV në kohën e PDSH dhe tani do të marrë pjesë në listën zgjedhore, pra si pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim”, tha Mexhiti.
Sipas Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në zgjedhje mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Ndërsa, lista zgjedhore mund të përmbajë emrin e ndonjë koalicioni, siç është edhe Lidhja Evropiane për Ndryshim, por në brendi të saj duhet të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – i cili është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje – ka shprehur mbështetjen për opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut gjatë vizitave në Shkup dhe Tetovë, më 12 gusht 2023.