Situata mjedisore në Parkun Kombëtar të Vjosës ka marrë përmasa shqetësuese, pasi mbetje të naftës janë derdhur në lumë, duke ndotur rëndë ujin dhe duke vënë në rrezik jetën e faunës së egër.
Një grup ambientalistësh të huaj kanë dokumentuar me video gjendjen alarmante në terren, ku shihen qartë hidrokarburet që mbulojnë sipërfaqen e ujit. Ata shprehen se lumi ka humbur funksionin natyror, pasi nuk ka më ujë të pastër, por vetëm substanca të dëmshme që përngjasojnë me karburant. Në pamje shfaqen edhe kafshë të ngordhura në përpjekje për të notuar në lëndët toksike.
“Nuk ka më ujë, është vetëm karburant. Ka kafshë të ngordhura duke u përpjekur të notojnë. Është shumë ngjitëse dhe e nxehtë,” deklaron një prej ambientalistëve që ndodhet në terren.
Ata shprehin gjithashtu shqetësim për mungesën e reagimit institucional ndaj kësaj katastrofe ekologjike që kërcënon një prej zonave më të rëndësishme natyrore në vend.
Aktualisht nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet për këtë ndotje masive, ndërsa kërkesa për ndërhyrje urgjente po bëhet gjithnjë e më e zëshme.