Kristian Shpendi ka humbur sot një mundësi të artë për të hyrë në historinë e Çezenës, pasi ka shpërdoruar një penallti që mund të rezultonte vendimtare për të shtyrë skuadrën e tij drejt Serisë A.
Sulmuesi shqiptar ka qenë protagonist kryesor i Çezenës në këtë edicion në Serinë B me golat e tij duke e bërë skuadrën pretendente për ngjitjen pasi ajo u kualifikua në play-off. Aty, rregullorja e vendosi përballë Katanxaros, në ndeshjen me eliminim direkt në fushën e këtij të fundit dhe Shpendi kishte mundësinë t’i jepte skuadrës së tij avantazhin në startin e pjesës së dytë.
Çezena fitoi penallti dhe ajo iu besua pikërisht djaloshit shqiptar, i cili pat shansin të ndryshonte fatin e duelit. Por gjuajtja e tij nga pika e bardhë u neutralizua nga portieri kundërshtar, duke e dëshpëruar lojtarin i cili u ngushëllua gjatë nga shokët e skuadrës.
Sikur të mos mjaftonte kjo, pak minuta më vonë Katanxaro shënoi golin e avantazhit dhe trajneri nxori nga fusha Shpendin, i cili po vuante dukshëm gabimin nga pika e bardhë. Rezultati i ndeshjes nuk ndryshoi më në minutat në vijim dhe Katanzaro vazhdoi garën në play-off për ngjitjen në elitën e futbollit italian.
SHIH VIDEON