Kreu i SPAK, Altin Dumani, mori pjesë sot në tryezën e organizuar mbi vlerësimin e arkitekturës institucionale të Prokurorisë së Posaçme, me fokus tek performanca, integriteti dhe garancitë për pavarësinë e saj. Në fjalën e tij, Dumani theksoi rëndësinë e balancës mes llogaridhënies dhe mbrojtjes së pavarësisë institucionale.
Sipas Dumanit, për prokurorët e posaçëm janë trajtuar nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) plot 61 raste me vendime përfundimtare, çka sipas tij dëshmon se llogaridhënia funksionon, brenda kornizës ligjore. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), duke e cilësuar si një institucion mbështetës për punën e SPAK.
Lidhur me marrëdhëniet me Kuvendin, Dumani theksoi se institucionet kanë pasur komunikim të mirë dhe çdo rekomandim i ardhur nga Kuvendi apo Këshilli i Ministrave është trajtuar me seriozitet dhe është reflektuar në raportet vjetore të SPAK.
Megjithatë, kreu i SPAK nënvizoi se rekomandimet nuk duhet të tejkalojnë kufijtë kushtetues, pasi mund të rrezikojnë pavarësinë institucionale të Prokurorisë së Posaçme.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv vlerësohen, por çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë përmes rekomandimeve të njëanshme apo paqarta, rrezikon të zhbalancojë kufijtë mes pushteteve,” deklaroi Dumani. Ai shtoi se rekomandimet e Kuvendit nuk kanë rol detyrues, por duhet të shërbejnë si mbështetje në frymën e ndërtimit të një sistemi më efikas të drejtësisë.