Kryeministri Edi Rama duket se ka menduar deri në detaje për të kënaqur sa më shumë liderët evropianë që ndodhen në Tiranë për Samitin e 6-të Politik.
Duke përdorur atë që ai lavdëron më së shutmi, Inteligjencën Artificiale, Rama ka krijuar nga një version “bebe” të çdo lideri e lidere të kontinentit, duke shprehur në gjuhën amtare të secilit “Mirëseerdhët në Shqipëri”.
Kjo surprizë e Ramës shkaktoi habi fillimisht pasi ndërkombëtarët nuk prisnin një gjë të tillë, por shpejt habia u shndërrua në buzëqeshje dhe duartrokitje, pasi ishte diçka e mirëmenduar e që atyre dukshëm u pëlqeu.
Për më tepër shihni reagimet e secilit në videon e mëposhtme.
47 krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe institucione të BE-së janë ftuar të marrin pjesë në këtë takim të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian. Sekretarët e Përgjithshëm të NATO-s, Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kanë marrë gjithashtu ftesa për pjesëmarrje.
Vendet e përfaqësuara do të jenë: Shtetet anëtare të BE-së (EU27), Shqipëria (mikpritëse), Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Islanda, Kosova, Lihtenshtajni, Moldavia, Monako, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, San Marino, Serbia, Zvicra, Turqia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar.
Mes evropianëve do të diskutohet për sigurinë e kontinentit, përfshirë dhe mbështetjen për Ukrainën, demokracinë, investimet dhe inovacioni në fusha të ndryshme, migracioni, lëvizja e fuqisë punëtore dhe të rinjtë.