Viti në të cilin Evropa do të vendosë nëse do të mbijetojë apo jo

Nga Mattia Feltri “Huffington Post Italia”

Çfarë do të ndodhë me ne, nëse pas 11 muajsh Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA, dhe sipas synimeve të shfaqura tashmë në mesin e një liste të gjatë të përmendur nga The Atlantic, e kufizon ose e braktis fare angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s?

Po nëse Vladimir Putin do të konfirmohet si president i Rusisë pas 4 muajsh, dhe rrjedhimisht do të legjitimohet nga populli për të vazhduar luftën pushtuese në Ukrainë, dhe për pasojë do të hedhë një sy dhe ndoshta një dorë mbi Moldavinë apo Letoninë, një axhendë kjo gjithnjë e më e dukshme?

Këto pyetje janë të pashmangshme sepse janë shqetësuese. Megjithatë, ato po shmangen, të paktën në dukje, nga kancelaritë evropiane, që për momentin po merren më shumë me të ashtuquajturin Pakti i Stabilitetit apo mbi emigracionin.

Tema të rëndësishme, por që përdoren me shumë për konsum elektoral, për të ndikuar tek sondazhet në funksion të rinovimit të Parlamentit Evropian në zgjedhjet e qershorit ë vitit të ardhshëm. Këtë problem shtronte edhe Angelo Panebianco, në editorialin e fundit në Corriere della Sera.

Nën këndvështrimin e Xi Jinping, që ka qenë gjithmonë i përkushtuar në ri-drejtimin e boshtit të botës në dëm të Perëndimit demokratik dhe liberal, Evropa Atlanticiste do të humbiste si mbështetjen politike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara, në një kohë që Evropa anti-amerikane do të fitonte peshë, e nxitur nga lëvizjet sovraniste të krahut të majtë dhe të djathtë, që të dyja të përkushtuara ndaj idesë se luftërat duhet të shmangen me çdo kusht, dhe se rruga drejt paqes shkon përgjatë vijave të negociatave, kudo dhe me këdo.

Kjo doktrinë është përhapur prej gati 3 vjetësh mbi çështjen e Ukrainës, dhe për 2 muajt e fundit edhe për atë të Lindjes së Mesme. Shqetësimi dhe dhimbja për bombardimet në Kiev, dhe së fundmi për ato në Gaza, janë pasqyruar nga ne në Huffpost.

Lajme të tjera |  FOTO-LAJM/ Presidentja Osmani takon presidentin e zgjedhur Donald Trump në katedralen 'Notre-Dame'

Por mua më duket se ato lënë në hije analizimin e problemit qendror të kohës sonë: Si vendoset drejtësia ndërkombëtare? A është një gjë e mirë të ulesh në një tryezë me dhunuesit – në frymën e Paktit të Mynihut, në kushtet kur paralelizmi historik po bëhet gjithnjë e më i dukshëm – me shpresën disi frikacake për t’i bërë ata pak më pak të dhunshëm?
Dhe pastaj duke u njohur atyre jo një të drejtë, por të paktën të drejtën për të pushtuar një vend fqinj, me synimin aneksimin e tij tërësisht ose pjesërisht, apo për të kaluar kufirin për të kryer një masakër të tmerrshme të civilëve të paarmatosur, përfshirë fëmijët?

Si mund ta përputhim një qasje të tillë me të ardhmen e popullit ukrainas, izraelit dhe natyrisht palestinez, në një botë në të cilën uzurpimi dhe masakra nuk janë të autorizuara, e megjithatë tolerohen në emër të vlerës supreme të paqes? Dhe a mund të përkufizohet si paqe diçka e tillë?

Unë nuk mendoj se duhet të jesh patjetër Winston Churchill, që të dish se me tiranët negociohet vetëm kur ata janë në disavantazh. Përndryshe, kjo nuk është negociatë por dorëzim, dhe telashet vetëm sa shtyhen për pak më vonë.
Ngjarjet e ndodhura së fundmi në rajonin e kontestuar të Nagorno Karabak, të treguara këtu me shumë mençuri nga Mariano Giustino, pasqyrojnë më shumë një çarmatim moral sesa një dashuri për paqen. Marrëveshja midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për shkëmbimin e të burgosurve, është një prelud i një marrëveshjeje për paqe, e përshëndetur me kënaqësi nga Perëndimi.

Por ajo vërteton se 100 mijë armenë të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre në Nagorno Karabak, nuk do të rikthehen më kurrë atje. Kanë pasur të drejtë ata, që mendonin se mënyra më e mirë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet midis vendeve është dhuna.

Lajme të tjera |  PËRPLASJA e Braçes me Lapajn: Fashist i Berishës! Kreu i "Shqipëria Bashkë": Je përgjegjës nëse preket familja ime

Dhe dhuna fitoi në këtë rast. Të paktën besojmë se Azerbajxhani ka arritur sukses strategjik dhe është i kënaqur me të. Por vetëm një person që gënjen veten mund të besojë të njëjtën gjë për Putinin dhe Hamasin: objektivat e të dyve janë taktikë sot, teorikisht edhe nesër janë të pakufizuara. Panebianco e përfundonte artikullin e tij me një notë optimizmi: shpresojmë, shkruan ai, që Trump nuk do të fitojë zgjedhjet këtë herë dhe as Putini, dhe se në çdo rast Evropa do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën për ta shpëtuar atë dhe për të shpëtuar veten, demokracinë dhe ligjin ndërkombëtar.
Ne duhet ta shohim këtë si një inkurajim, sidomos në lidhje me Evropën.

Sepse në të kundër, do të mendojmë se Putini do të fitojë, dhe që suksesi i Trump është i mundshëm. Mundësia jonë e vetme, dhe aktualisht shumë e largët, janë Shtetet e Bashkuara të Evropës, për të ruajtur një minimum strukture dhe ndikimi, në një planet ku tashmë kemi një rol periferik.

Unë nuk e di sa të vërteta ka në thashethemet mbi planin e presidentit të Francës Emmanuel Macron, për të sjellë Mario Draghin në krye të Komisionit. Por unë shpresoj që kjo gjë të jetë e vërtetë. Sepse Draghi, prestigji i tij dhe ideja e tij për Bashkimin Evropian, janë ndër të paktat shanse të mbetura për të shmangur fundosjen në një Evropë të vogël, të ndarë, grindavece, të braktisur nga Amerika dhe që sheh e joshur nga Rusia. Në Krishtlindjet e vitit të ardhshëm do ta dimë më mirë se çfarë fati po i rezervojmë vetes.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us