Shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan, njeriu që konsiderohet si pasues i Erdoganit, zgjodhi Tiranën për të nisur turin e tij katër diplomatik ditor që vijon me Rumaninë dhe Bullgarinë.
Një vizitë e rangut më të lartë ku pati takime kokë më kokë me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, kryeministrin, Edi Rama, për të përfunduar me presidentin e vendit, Bajram Begaj.
Numri një i diplomacisë turke ka vizituar edhe Xhaminë e Madhe, atë te Namazgjaja, e cila ka mbetur e pahapur dhe e pa inauguruar prej një ngërçi mes financuesit, Turqisë, dhe KMSH-së, e cila ka drejtim gylenist, në papajtueshmëri me Ankaranë.
Kjo është vënë re dhe nga fakti se ai nuk është shoqëruar prej asnjë figure të KMSH-së, madje nga asnjë figurë klerikale në Shqipëri. Por dhe më shumë se kaq, nga asnjë autoritet shqiptar.
Është një vizitë gati diskrete në raport me median, pa u servirur si njoftim e as përcjellë ndonjë mesazh.
Ndërkohë, ai e dha një mesazh pas takimit me homologun Igli Hasani.
“Diskutuam në lidhje me pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO-s që kanë mbetur në Shqipëri, prandaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe diskutuam çfarë hapash mund të hidhen konkretisht për këtë.”
Ka qenë ky mesazhi që ka përcjellë nga vizita e tij zyrtare si ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan në Tiranë.
Në konferencë nuk u përmend shqetësimi real turk, çështja e gylenistëve në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Dhe kjo temë do të jetë diskutuar pas perdeve në takimet kokë më kokë.
Dihet tashmë botërisht se çështja e KMSH-së është “molla e sherrit” për përfundimin e punimeve dhe hapjen e Xhamisë së Madhe.
Ndërkohë që beteja është e radhës janë zgjedhjet e ardhshme të KMSH-së që do të zhvillohen në mars. Krerët aktualë të KMSH-së kanë filluar mbledhjet me myftinjtë e vendit për te pasur rikonfirmim në zgjedhjet e ardhshme në mars.
Do të shihet si Turqia do influencojë pikërisht këto zgjedhje të cilat me pas duhet të konfirmojnë hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, të financuar nga vetë Ankaraja.
Fidan është shprehur se marrëdhëniet Shqipëri-Turqi janë shumë të mira, por duhen çuar në një nivel tjetër bashkëpunimi.