Partizani nuk është më skuadra më e shtrenjtë e Kategorisë Superiore. Janari solli një “furtunë” largimesh në klubin e kuq, që për herë të parë pas afro tri vitesh nuk krenohet me të pasurit lojtarët më të vlefshëm të Kategorisë Superiore.
Lojtarët e larguar (Cara, Mba, Rrapaj, Hadroj, Zguro), i kanë ulur ekipit të kuq plot 1.8 milionë euro në këtë renditje, që reflekton vlerën dhe potencialin e lojtarëve të skuadrave, por në fund duhet thënë se është vetëm një detaj statistikor.
Skuadra më e shtrenjtë e Kategorisë Superiore është Dinamo, me vlerë 4.75 milionë euro. Ekipin e Dajës e ka ngritur ndjeshëm forma e mirë e lojtarëve si Mandela apo Zabërgja, që kanë rritur vlerën e tyre. Sakaq, në vendin e dytë është Egnatia, e përmirësuar shumë pas ardhjeve të emrave si Fernando apo Dajsinani.