Vota e diasporës/ Sot afati i fundit për tërheqjen e tyre, 62% e zarfeve kanë mbërritur në KQZ!

Deri më 7 maj 2025, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë mbërritur 153,277 zarfe me fletë votimi të dërguara nga votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke përfaqësuar 62% të totalit prej 245,935 zarfeve të shpërndara.

Nga totali i zarfeve të dërguara 37% e tyre u dërguan në Itali sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, 27,8% në Greqi, 10,4% në Gjermani, 8.4% në SHBA, 7% në Angli, në Francë u dërguan 2.2% etj.

Nga totali i zarfeve të mbërritura në KQZ, sipas të dhënave 43% e tyre janë nga emigrantët që jetojnë në Itali, 18% nga Greqia, 12% nga Gjermania, 10% nga SHBA, 7% nga Anglia etj.

23% e totalit të zarfeve të ardhura me fletët e votimit pranë KQZ i përkasin qarkut të Tiranës, 13% për Fierin, 12% për Durrësin, 9% Elbasani, 8% Shkodra, Vlora dhe Korça nga 7% secila. Për qarkun e Lezhës dhe Beratit nga 6% secila, Dibra 4%, Gjirokastra 3% dhe 2% Kukësi.

Nga të dhënat rezulton se diferenca më e thellë për zarfet e dërguara kundrejt atyre të mbërritura është në shtetin e Greqisë. Nga 68,3 mijë zarfe me fletë votimi të dërguara në këtë shtet, pranë KQZ kanë mbërritur 27,5 mijë apo 40% e tyre. Ndërsa në Itali nga 91,2 mijë zarfe të dërguara me fletë votimi kanë mbërritur 65,9 mijë apo 72% e tyre.

Lajme të tjera |  Banka e Shqipërisë kufizon kreditë për blerje banesash

KQZ ka nisur këtë proces për herë të parë në mënyrë të zgjeruar, me synimin për të përfshirë votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Votuesit kanë marrë me postë zarfin me fletën e votimit dhe udhëzimet përkatëse, të cilat duhet t’i kthejnë pranë institucionit deri në ditën e zgjedhjeve.

Po ashtu sipas të dhënave zyrtare, 92% e zarfeve të dërguara janë marrë nga qytetarët, ndërsa 20,234 votues, ose rreth 8%, ende nuk i kanë marrë materialet e votimit.

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, tha në një konferencë për media se rreth 11 mijë qytetarë nuk kanë mundur të pajisen me zarfin për shkak të pasaktësive në të dhënat e kontaktit, si adresat e banimit, email-et apo numrat e telefonit. Pjesa tjetër është kontaktuar, por nuk ka reaguar ndaj komunikimit nga shërbimet postare.

Lajme të tjera |  Dje u konfliktuan, sot u vranë! I riu nga Hasi vret me kallash fqinjin, e gjitha për motive pronësie!

Për këta qytetarë, afati për të mundësuar marrjen e zarfeve do të jetë deri më 8 maj, ndërsa zarfat me fletën e votimit duhet të mbërrijnë deri në përfundimin e afatit të votimeve, pra deri ditën e diel ora 19:00, që të konsiderohen të vlefshme./Monitor

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us