Vrasja e 67-vjeçarit në Kurbin, dyshohet se pas qëndron hakmarrja: Çfarë ndodhi para 10 vitesh në masakrën e Mamurrasit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të hënë fshatin Vilëz të Kurbinit, ku 67-vjeçari Dodë Mamli u ekzekutua me armë zjarri pranë banesës së tij.

Viktima u qëllua nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Hakmarrje?

Policia dyshon se hakmarrja është një nga pistat që mund të ketë çuar në vrasjen e 67-vjeçarit Dodë Mamli.

Dy djemtë e viktimës ndodhen aktualisht në burg për një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2015, në atë që u cilësua si masakra e Mamurrasit.

Enrik Mamli, djali i viktimës, ka vrarë një person në vitin 2015 në qendër të Mamurrasit dhe ka plagosur 3 të tjerë.

Viktimë në atë kohë mbeti Naim Tafa, sherr që kishte nisur për një borxh të pashlyer nga ana e viktimës.

Si rezultat, Tom Mamli u dënua me 33 vjet burg, ndërsa Enrik (Elton) Mamli me 26 vjet.

Ngjarja e vitit 2015 ku akuzohen djemtë e 67-vjeçarit të vrarë sot

Mesditën e 23 shtatorit të vitit 2015, rreth orës 11:30 minuta, Tom Mamli, Paulin Mamli, Enrik (Elton) Mamli kanë rrahur dhe goditur me sende të forta Dorjan Mamlin, pasi ky i fundit kishte ndërhyrë për të negociuar konfliktin që kishte Enrik Mamli me Edmond Tafën, djalin e xhaxhait të Naim Tafës (viktima).

Lajme të tjera |  Të panjohurat e Papës së ri: Jeta e tij si misionar, simpatia Gjon Palit të II dhe pasioni i tij për tenisin

Mësohet se konflikti mes tyre kishte nisur në Itali për një borxh prej 250 mijë eurosh që Enrik Mamli kishte pasur ndaj Tafës për hesape prostitucioni. Gjatë sherrit në lokal, i dëmtuar fizikisht mbeti Dorjan Mamli, i cili ishte qëlluar me grushte e mjete të forta nga kushërinjtë e tij.

Ndërkohë, kur vëllezërit Mamli po largoheshin me mjetin “Range Rover” me targa AA 481 JT, janë përplasur nga mjeti “Benz” me targa AA 077 CN në të cilin lëviznin Gentjan Elezi, Taulant Bebri (Arjan Tafa) dhe Naim Tafa. Këta persona ishin vënë në dijeni të konfliktit të ndodhur në lokal.

Pas përplasjes së automjeteve, personat që ndodheshin në të dyja makinat kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku i vdekur mbeti Naim Tafa, 35 vjeç dhe u plagosën Altin Çoku, 30 vjeç; Idriz Tafa, 59 vjeç; Taulant Bebri (Arjan Tafa), 26 vjeç dhe Besim Xhetani 68 vjeç.

Lajme të tjera |  Meta thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje të dielën: Të braktisim shpopullimin, të zgjedhim ndryshimin

Në atë kohë policia raportoi se Elez Tafa, Besim Xhetani dhe Altin Çoku kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë pasur asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë.

Pas masakrës, policia arrestoi Enrik Mamlin, Taulant Bebrin (Arjan Tafa) dhe Dorjan Mamlin. Ndërsa, në kërkim u shpallën Tom Mamli (personi që u prangos më vonë pas ngjarjes), Paulin (Roland) Mamli dhe Gentjan Elezi (Tafa).

Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 12 gëzhoja fishekësh të armëve të zjarrit, 11 prej të cilave brenda në makinën e Enrik Mamlit. Kjo makinë u gjet nga policia e braktisur, rreth 300 m larg vendit të ngjarjes në përpjekje për t’u larguar. Gjithashtu, policia sekuestroi një armë zjarri automatik model 56 kalibër 7.62 mm, e përdorur prej Enrik Mamlit.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us