Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ka liruar nga burgu të gjithë zytarët dhe policët e arrestuar pas vrasjes së Arben Lleshit në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Peqin. Në mesin e personave të liruar, është dhe ish-drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, i cili kishte bërë dhe denoncimin para ngjarjes se në burgun e Peqinit nuk funksiononte skaneri, dhe kishte disa zona të pambuluara nga kamerat e sigurisë.
Një pjesë e policëve janë lënë nën masën e arrestit të shtëpisë, ndërsa Hoxha dhe një pjesë tjetër e policisë që u arrestuan pas ngjarjes së 15 Dhjetorit janë lënë nën masën detyrim paraqitje. Sa i takon hetimeve për ngjarjen e rëndë, ato janë përqëndruar në pistën e vrasjes për gjakmarrje, dhe Mjacaj dyshohet se ka vepruar kundrejt pagesës. Së fundi ai ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë, dhe do të merret sërish në pyetje, në lidhje me personat që dyshohet se kanë urdhëruar vrasjen e Lleshit, i cili vuante në burgun e Peqinit një dënim me 32 vite burg, për vrasjen e një të riu në Britaninë e madhe, pas konflikteve për drogën.
Çfarë ndodhi në Peqin?
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015.