Skaneri dhe disa kamera sigurie në burgun e Peqinit nuk funksiononin prej disa ditësh, duke lehtësuar kështu futjen e armës brenda burgut të sigurisë së lartë. Armë që do të përdorej nga Sokol Mjacaj për të ekzekutuar një ditë më parë brenda qelisë së tij Arben Lleshin. Kjo ka sjellë dhe shoqërimin në polici të drejtorit të burgut të Peqinit Kamber Hoxha dhe 12 vartësve të tij.
Raportohet se referuar dëshmisë së tij të dhënë para prokurorëve, Mjacaj ka deklaruar se e ka vrarë Arben Lleshin pasi kishte një konflikt me të dhe se armën e krimit e ka siguruar rreth një muaj më parë. Shkak për sherrin referuar dëshmisë së Mjacaj është bërë fakti se Lleshi se ka pranuar në sektor.
Por kjo alibi e tij nuk është bindëse për Prokurorinë, e cila ka dyshime se vrasja është bërë me pagesë dhe se Mjacaj nuk ka vepruar i vetëm. Dy muaj para ngjarjes, Sokol Mjacaj kishte takuar dy familjarë të tij ndërsa Arben Lleshi prej tre vitesh nuk kishte kontakte me familjen.
Çfarë ndodhi dje?
Ngjarja e rëndë cënoi rëndë sigurinë në burgjet e vendit duke përbërë një skandal të paprecedentë. Sokol Mjacaj e ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marr peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Mjaçaj do të izolohej në regjimin e posaçëm “41 Bis”, por me sa duket kishte dhe një mision për të kryer. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Në tentativë për të iu grabitur makinën Sokol Mjacaj i ekzekutoi të dy. Ngjarje e ndodhur në fshatin Lotaj të Dukagjinit.