Policia e Kosovës është në kërkim të personave të dyshuar Ahmet (Ali) Berisha dhe Naim (Ali) Berisha, të kërkuar për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e 3 të tjerëve, mbrëmjen e djeshme. Policia njofton se autoritetet janë mobilizuar në disa lokacione për të rënë në gjurmët e dy të dyshuarve. Autoritetet kërkojnë nga qytetarët që për çdo informacion që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së autorëve ta ndajnë me policinë.
“Kërkesë për bashkëpunim për vendodhjen personave të dyshuar. Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personave të dyshuar. Personat e dyshuar Ahmet ( Ali) Berisha dhe Naim (Ali) Berisha kërkohen për veprën vrasje e rëndë që ka ndodhë mbrëmë. Ndonëse janë ndërmarrë një sërë veprimesh nga ana e policisë, kërkimi i vazhdueshëm, bastisja e disa lokacioneve etj. personat e dyshuar vazhdojnë të ndodhen në arrati, andaj për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personave të dyshuar na kontaktoni direkt në: E-mail: [email protected]. Facebook: https://ëëë.facebook.com/KosovoPolice/ Android #app: Lajmero Policine Tel: 192″, njofton Policia.
Rëndohet bilanci i viktimave
Bilanci i ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku pas një përplasje me armë mbeti i vrarë Egzon Haziri, ndërsa u plagosën 3 të tjerë, mes tyre dhe një grua e cila ishte kalimtare e rastit. Fatkeqësisht kalimtarja, e cila u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ka ndërruar jerë paraditen e sotme. Zajnie Gashi, 48-vjeç, nuk ka mundur që t’i mbijetojë plagëve të marra. Lajmin për vdekjen e saj ka konfirmuar shefi i Klinikës së Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.