Ka dalë paraditen e sotme përpara Gjykatës së Lezhës portugezi Ruben Saraiva, i cili u ekstradua të dielën nga Maroku. Ai u dërgua për në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa është i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në Shëngjin më 19 Prill 2023.
Saraivës i është komunikuar masa e sigurisë nga Gjykata e Lezhës, e cila i ka caktuar “arrest në burg” në mungesë për akuzat e vrasjes për gjakmarrje dhe armëmbajtje pa leje.
Vetë Saraiva ka mbajtur qëndim mohues sa i takon kryerjes së krimit.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen, akuzat i kam mësuar nga mediat. Isha në Shqipëri për pushime”, ka deklaruar portugezi.
Ruben Saraiva u arrestua në Marok më 8 Maj për llogari të autoriteteve shqiptare dhe u ekstradua në vendin tonë më 31 Dhjetor 2023.
Për vrasjen e Ardian Nikualjt në Britaninë e Madhe janë arrestuar edhe pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi për në Shqipëri.
Porositës për vrasjen e Nikulajt dyshohet të jetë Edmond Haxhia, i cili prej vitesh jeton në Britaninë e Madhe.
Vrasja e Nikulajt pasoi disa ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot.
Pista kryesore e hetimeve të këtyre ngjarjeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.
Ardian Nikulaj u ekzekutua brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës, kur portugezi Saraiva, me skafandër në kokë dhe i veshur me jelekë kamuflazhi, hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend.