V*rasje, dronë dhe të sëmurë mbi kapacitet! Raportimi i kreut të burgjeve: Të dënuarit duan të tregojnë kapadaillëk

Ngjarja e ndodhur ditët e fundit, ku në burgun e Peqinit dhe Burrelit u futën dy drone, ka kthyer vëmendjen nga burgjet e Shqipërisë. Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Burgjeve Klevis Qose raportoi situatën, duke njoftuar ligjvënësit për prioritetin në investime të posaçëm anti dronë. Siguria në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri është vënë në pikëpyetje, nga vrasja e Arben Lleshit në burgun e Peqinit e deri tek futja e telefonave dhe drogës.

Sa i përket droneve mbi burgun e Burrelit dhe Peqinit, objekti nuk u kap nga punonjësit e burgut, dhe as personat të cilët kanë bërë të mundur ngritjen e tyre. Drejtori i Burgjeve Klevis Qose pranoi se ka ndodhur një thyerje në sigurinë e burgjeve dhe parashtroi kërkesën për një sistem anti-dron në të gjitha institucionet në vend. Ndër të tjera edhe pse burgjet kanë pasur rritje të pagave në muajt e fundit, drejtori Qose kërkoi sërish rritje për ta, duke cilësuar punën e rëndë dhe përgjegjësinë që kanë në vijimësi. Investimet në dixhitalizimin e sistemit të burgjeve janë një tjetër hapësirë që kërkon të ndërhyhet për modernizimin e tyre.

‘Po sikur të ishin me eksploziv. Kemi bërë kërkesë për buxhetimin e sistemit anti-dronë në të gjitha burgjet me qëllim parandalimin e të gjitha ngjarjeve. Mundet që përmes dronëve të organizohen tentativa për vrasjen të të burgosurve, duke vendosur në dron lëndë plasëse.’-tha Qose.

Sa i përket ekzekutimit të Arben Lleshit, i cili u vra nga Sokol Mjacaj brenda ambjenteve të burgut, Qose raportoi se hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe tha se arma me të cilin u krye vrasja ishte futur në burg në mënyrë kontrabandë. Sipas tij, nga ana e Drejtorisë së Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal.

“Më datë 15 dhjetor 2023 në burgun e sigurisë së lartë në Peqin u vra një i burgosur me armë zjarri pistoletë nga një  i burgosur tjetër. Lidhur me këtë ngjarje, rrethanat e kryerjes, bashkëpunimit dhe mënyra si kishte hyrë arma kontrabandë burgut, po kryhet një hetim i thelluar nga Prokuroria. Disa punonjës janë marrë nën hetim lidhur me veprimet dhe ndërveprimet e tyre, por deri tani nuk janë përfunduar hetimet. Sa i përket veprimeve të ndërmarra nga Drejtoria e Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal”, tha Drejtori i Burgjeve.

Lajme të tjera |  Politika "ndan" edhe këngëtarët, Elvana dhe Noizy i japin ritëm PS, Stresi me grupin Burn ndezin atmosferën për demokratët

Çfarë ndodhi në Peqin?

Mesditën e 15 dhjetorit, Sokol Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015.

Përpos ngjarjeve kriminale, një problematikë tjetër e parashtruar në Komision, ishte dhe ai i ushqimit në burg. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, ka treguar arsyet se pse të dënuarit nuk preferojnë ushqimet e burgut, por ua sjellin familjarët e të afërmit nga jashtë. I pyetur nga deputeti i PD-së, Asllan Dogjani nëse kjo ndodh për shkak të cilësisë së keqe të ushqimit, Qose e mohoi duke u shprehur se “kam qenë vetë në IEVP dhe kemi ngrënë vetë ushqim, unë ministri e bashkëpunëtorët e mi”. Ai theksoi se ky është një trend nëpër burgje, ku sipas tij, të dënuarit duan të tregojnë kapadaillëkun e vet.

“Sa i përket pyetjes për ushqimin, në fakt nuk është e vërtetë. Kam qenë vetë në IEVP dhe kemi ngrënë vetë ushqim, unë ministri e bashkëpunëtorët e mi. Por është një trend në burgje për të treguar kapadaillëkun e vet çdo i dënuar, do ta marrë ushqimin nga jashtë. Pavarësisht masave tona në uljen e sasisë, por e kemi futur si një nga pikat e procesit të rehabilitimit për lejimin e futjes së ushqimit nga familjarët duke sjellë ushqim, dikush sjell pak mjaltë, dikujt ia bën bashkëshortja, dikujt vajza se ka me burgim të përjetshëm, se i kanë lënë fëmijët 2 vjeç dhe janë bërë vajzat nga 30 vjeçe, janë martuar dhe i sjell një ushqim. Është toleruar, si indikator në procesin e rehabilitimit”, tha Qosja.

Lajme të tjera |  “Do marrim e pakta 78 mandate”, Rama: Nuk do fitojnë dot kurrë po nuk e kuptuan se përse i mundim

Në mbledhje u prekën dhe masat me mjekim të detyruar që jepen nga gjykata trajtohen në burgun e Lezhës, me kapacitete më shumë se dyfishi. Në total janë 460 persona, të akomoduar në IEVP Lezhë, ndërkohë që kapaciteti maksimal është vetëm për 210 persona. Drejtori i Burgjeve u shpreh se deri në fund të vitit institucioni pritet t’i kaloj Ministrisë së Shëndetësisë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us