Vrau kolegun e tij te Komisariati nr.3 në Tiranë, Gjykata e Apelit i ul 5 vite burg Ludjan Zaimit. Ish-polici ishte dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e shkallës së parë të Tiranës, ndërkohë që Apeli ka dhënë një dënim me të butë, duke i zbritur 5 vite.
Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatë, autori është shprehur se viktima e bullizonte, duke e bërë këtë shkakun konkret të aktit të rëndë. Ngjarja ndodhi më 23 maj të vitit 2022 ndërsa autori ka thënë se me Saliasin kishte patur marrëdhënie miqësore dhe më pas janë konfliktuar.
Zaimi ishte nën kurim me antidepresantë “seroquel”, medikament që përdoret për të kuruar çrregullime dhe probleme të tjera të rënda të shëndetit mendor, si skizofrenia e çrregullime bipolare. Prej kohësh ai ankohej për daljen në shërbim me të, tregonte se Saliasi e bullizonte, e shante, e quante ‘qorr’ dhe nuk ia kursente as personat e familjes.
Por, të gjitha këto ankesa, kishin rënë në vesh të shurdhër. Situata kishte vijuar e tillë deri më 23 maj, ditë kur po bëhej instruktazhi. Pamjet e rënda që u publikuan në media treguan se si Saliasi la sallën e u ul në shkallën pranë derës së komisariatit. Fill pas tij, doli 25-vjeçari Zaimi. Pas pak sekondash, i riu nxjerr armën dhe nis të qëllojë pa ndalim në drejtim të 55-vjeçarit. Pavarësisht se ky i fundit tentoi të mbrohej, nuk ia doli dot. Mori plumbat në pjesë të ndryshme të trupit në sy të të paktën nëntë kolegëve që i vetmi veprim që bënë ishte të ngrinin duart lart.
Njoftimi i Gjykatës së Apelit:
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale L. Z, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, të parashikuara nga neni 79/b i K.Penal.
Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 23.05.2022, rreth orës 21:30, ku në në ambjentet e Komisariatit të Policisë nr. 3 Tiranë, është qëlluar disa herë me armë zjarri punonjësi i policisë shtetasi me iniciale Ç.S, nga kolegu i tij i pandehuri me iniciale L.Z.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2016, datë 15.09.2023 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit L.Z për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 35 (tridhjet e pesë) vjet burgim.
–Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit në flagrancë. Dënimi i mbetur do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale L.Z, i cili kërkoi:
-Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
-Deklarimin fajtor të të pandehurit L.Z për kryerjen e veprës penale ”Vrasje me dashje”, sipas nenit 76 të K.Penal apo atë të “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i K.Penal, duke caktuar një dënim propocional për të.
-Pranimin e gjykimit të shkurtuar sipas nenit 332/c dhe 403 të K.Pr.Penale dhe aplikimin e nenit
406 të K.Pr.Penale, ti ulet 1/3 e masës të dënimit të caktuar.
Në përfundim të gjykimit, më datë 25.01.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Dokollari dhe anëtarë znj. Irena Brahimi dhe z. Fuat Vjerdha, vendosi:
– Ndryshimin e vendimit nr. 2016 datë 15.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në lidhje me cilësimin juridik dhe dënimin, si më poshtë vijon:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit L.Z për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal dhe dënimin e tij me 30 (tridhjetë) vjet burgim.
-Lënien në fuqi të vendimit për disponimet e tjera.
-Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.