Në fund të muajit mars, vlera totale e portofolit të kredisë për blerje banesash nga familjet shqiptare ka arritur në pothuajse 218 miliardë lekë, në rritje me 15.6% krahasuar me një vit më parë. Kreditimi nga sektori bankar vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një kërkese të lartë në tregun e pasurive të paluajtshme.
Ndërkohë, ekspozimi total i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme arriti në 398 miliardë lekë, ose më shumë se katër miliardë euro në fund të vitit të kaluar.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e kredisë për pasuri të paluajtshme u rrit me më shumë se 16 % gjatë vitit 2024.
Kjo shifër përfshin të dyja segmentet e klientëve, biznese dhe individë. Pjesa më e madhe e portofolit i takon individëve, me afërsisht 52% të ekspozimit total në hua për pasuri të paluajtshme, ndërsa diferenca prej 48% është kredi e dhënë për bizneset.
Banka e Shqipërisë vendosi në muajin maj disa kufizime direkte që tentojnë të frenojnë “hovin” e bankave në kredinë për shtëpi.
Konkretisht, Banka e Shqipërisë ka vendosur që bankat nuk mund të financojnë më shumë se 85% të vlerës së blerjes së shtëpisë së parë dhe 80% të blerjes së shtëpisë së dytë. Në rast se kredia është në valutë, niveli tavan i financimit ulet në 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
Banka e Shqipërisë gjithashtu ka aplikuar një nivel tavan edhe për koston e shërbimit të borxhit në raport me të ardhurat e huamarrësve (DTI) në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë, në rastet kur kredia është dhënë në Lek. Për kreditë në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.
Bankat skeptike dhe për ekonominë
Ndryshe nga dy vrojtimet e kaluara, vlerësimi i bankave mbi “rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë së brendshme” ka qenë në rritje gjatë periudhës, duke e ripërfshirë në grupin e rreziqeve kryesore sistemike. Rritja e rrezikut të goditjeve të jashtme mbi zhvillimet e brendshme ekonomike, duket se është reflektuar dhe në rritjen e perceptimin të bankave lidhur me mundësinë e përkeqësimit të ekonomisë në vend.
Në terma të përgjithshëm, bankat perceptojnë se mundësia e materializimit të një (ose disa) prej rreziqeve të lartpërmendura në të ardhmen afatshkurtër (deri në një vit) dhe atë afatmesme (1-3 vjet), momentalisht është nën nivelin mesatar dhe në rënie.
Pavarësisht sfidave të momentit, situata e mirë e kapitalizimit dhe likuiditetit të sektorit ka bërë që besimi i bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar në të ardhmen të mbetet mbi nivelin mesatar dhe në rritje.
Marrë nga Monitor.al