Vuçiç u ankohet fëmijëve serbë nga Zveçani: Perëndimi kërkon veç njohjen e Kosovës, s’u interesojnë të tjerat


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se Serbinë e presin javë dhe muaj të vështirë, sepse sipas tij, qëllimi i bashkësisë së organizuar ndërkombëtare është të detyrojë Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës, pas vizitës së nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës fillore “Sveti Sava” në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se çështjet kyçe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), nuk janë zgjedhjet në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – as votimi i komunitetit serb në zgjedhjet e Serbisë, as njohja e dokumenteve dhe targave të autotmjeteve, por vetëm njohja e Kosovës.

“Ne do të jemi nën shumë presion, ata do të përdorin dhe keqpërdorin situatën që Serbia ka diçka për të humbur, prandaj i vendosin shqiptarët nën sanksione që nuk janë aq serioze dhe në fakt po shantazhojnë Serbinë, sepse ne kemi diçka për të humbur”, ka deklaruar presidenti serb në një konferencë për shtyp të dielën në Beograd, transmetojnë mediat serbe.

Ai ka përsëritur se nuk do të nëshkruajë Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksin e Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa ka shtuar se këtë ua ka thënë “rreth 1000 herë” përfaqësuesve të BE-së dhe liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

“Jo, nuk do të nënshkruaj. E kam thënë 1000 herë, madje në vendet më të vështira, përballë (presidentit francez, Emmanuel) Macron, (kancelarit gjerman, Olaf Scholz), (shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borell) dhe (emisarit special për dialogun, Mirosllav Lajçak)”, ka shtuar presidenti serb.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us