Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin për logon e Partisë Demokratike, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në apel. Apeli do të duhet të marrë vendim me një trupë të re gjykuese.
Në vendimin e dhënë paraditen e kësaj të mërkure, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj”.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë argumenton se konflikti mes palëve se kujt i takon vula dhe logo e Partisë Demokratike është çështje që zgjidhet vetë nga kjo gjykatë.
“Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim. Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë”,thuhet në vendimin e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.

Për këtë arsye, Gjykata e Lartë vendosi që kjo çështje të rikthehet për rishqyrtim në Apel me një tjetër trupë gjykuese.