Xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi e ka mbyllur vitin 2023 si lidere e renditjes botërore të xhudistëve. Xhudistja e mbylli këtë vit në krye të renditjes globale, duke arritur të grumbullojë 7715 pikë.
Unioni Europian i Xhudos, përmes një njoftimi, shprehet se Krasniqi është një dhuratë, që vazhdon të surprizojë. “Ajo është një dhuratë që vazhdon të na suprizojë. Distria Krasniqi e gjeti lavdinë olimpike në kategorinë deri në 48 kilogramë, ndërsa më pas ia vuri syrin një sfidë të re, kalimin në peshat deri në 52 kilogramë, gjë që ishte e njohur më parë në Kosovë, pasi mbulohej nga Majlinda Kelmendi”, thuhet në njoftimin e Unionit Evropian të Xhudos.
Distria Krasniqi e nisi vitin 2023 në mënyrë fantastike, duke fituar medaljen e artë në Paris Grand Slam, duke pasuruar koleksionin e saj të medaljeve. Gjatë vitit që po lëmë pas, ajo fitoi edhe medalje të tjera. Krasniqi tashmë bëhet gati për Olimpiadën e Parisit, ku pritet që të fitojë sërish medalje.
Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në “Paris Grand Slam”, kurse medaljen e argjendtë e fitoi në “Tbilisi Grand Slam”, “Hungary Masters”, “Baku Grand Slam”, “Kampionatin Evropian” dhe medaljen e bronztë në Kampionatin e Hapur Evropian në Prishtinë.